Autoritetet policore nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova në mesditë njoftuan se është mbyllur plotësisht kalimi kufitar në pikën Bllacë – Hani i Elezit. Disa orë më vonë, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë njoftoi se është hapur përsëri kufiri, transmeton Portalb.mk.
“Ju njoftojmë se është hapur për qarkullim rruga nga PKK Hani i Elezit për Shkup”, njoftoi Qendra, pasi më herët kishte njoftuar qytetarët se kjo pikë është e pakalueshme.
Ata kishin sqaruar se zjarret e paraqitura në anën e Maqedonisë së Veriut kanë pamundësuar kalimin e veturave në këtë pjesë.
Njoftim të njëjtë ka dhënë edhe Policia e Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar nga qytetarët që të shmangin maksimalisht këtë rrugë.
“Informojmë se për shkak shpërndarjes se zjarreve në afërsi të Bllacës, plotësisht është ndaluar qarkullimi në drejtimin Stenkovec – Bllacë, në të dy drejtimet, ndërsa është mbyllur edhe kalimi kufitar në Bllacë”, kishte njoftuar në mesditë Policia e Maqedonisë së Veriut.
Në rajonin e Bllacës deri në mesditë janë hedhur 70 ton ujë me helikopter për shuarjen e zjarrit. Qendra për Menaxhimin e Krizave në RMV ka njoftuar se një pjesë e zjarrit është shuar, ndërsa pjesa tjetër është përhapur në terrene të paarritshme.
Supozohet se zjarri është shkaktuar nga një bisht cigareje ose ka qenë zjarrvënie e qëllimshme. Nga dita e djeshme është raportuar për zjarre në disa zona të Maqedonisë së Veriut. Autoritetet kanë vënë në shërbim 38 automjete që ishin të papërdorshme dhe të konsumuara. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim do të ketë juridiksion mbi to dhe ato do të përdoren për të ndërhyrë në vende me qasje të vështirë.