U premtua rrjet i ri ujësjellësi, banorët mbetën me rrugë të prishura: Kaos në lagjen “Jashta Vardarit” në Tetovë

Punimet për zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në lagjen “Jashta Vardarit” në Tetovë kanë lënë pas rrugë të dëmtuara dhe gropa, ndërsa projekti ende nuk ka përfunduar. Banorët thonë se prej më shumë se një viti presin për përfundimin e punimeve, ndërsa ankohen edhe për furnizim të dobët me ujë dhe presion të ulët. Pas ngritjes së çështjes nga Portalb.mk në terren filluan punimet ndërsa nga Komuna e Tetovës nuk japin afate konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Në këtë lagje ka rreth 500 shtëpi, prej të cilave rreth 300 janë të banuara, ndërsa pjesa tjetër janë kryesisht shtëpi të mërgimtarëve.

Banorët thonë se rrugët dhe ndriçimi në të kaluarën janë rregulluar me financim të vetë banorëve, por ato janë dëmtuar gjatë hapjes së traseve për vendosjen e gypave të ujësjellësit.

“Në lagjen Jashtë Vardarit, ku punimet kanë nisur që në maj të vitit të kaluar e deri sot, rrugët janë katastrofë. Projekti është lënë, nuk punohet. Edhe ato rrugë që me iniciativë private i kemi rregulluar vetë, kur e nisën projektin i prishën krejt rrugët dhe i lanë në hall”, tha një banor.

Një tjetër banor e përshkruan gjendjen në rrugë si problem që ka zgjatur me muaj.

“Gypi ka mbetur këtu si raketë lufte. Jemi në zor e gjithë lagjja. Me muaj kemi qenë në tollovi, rruga me gropa, e papërfunduar. Fqinjët nuk hyjnë as me vetura këtu i parkojnë më lartë se i dëmtojnë”, tha ai.

Përveç gjendjes së rrugëve, banorët ankohen edhe për furnizimin me ujë.

“Ka shumë pak ujë, ka shumë pak shtypje. Me vite jemi në këtë gjendje”, tha një banor.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i pyetur nga Portalb.mk për këto shqetësime të banorëve tha se në këtë pjesë të qytetit është planifikuar projekt më i gjerë infrastrukturor, i cili përfshin edhe ndërtimin e një rruge të re.

“Te lagjja Jashtë Vardarit, paralel me projektin për ujësjellës, realizojmë edhe projekt për ndërtimin e një rruge të re, që është rruga kryesore nga kthesa për në fshatin Bërvenicë, përmes fabrikës Teteks, deri te rruga për në Falisht. Aty fillimisht duhet të nisin punimet për ndërtimin e kësaj rruge dhe bashkë me këtë do të realizohet edhe infrastruktura nëntokësore për ujë edhe kanalizimet adekuate”, tha Kasami.

Sipas tij, kompania tashmë ka marrë urdhëresë për realizimin e projektit.

“Kompania ka marrë urdhëresë që ta realizojë projektin. Fillimisht duhet të realizohet ky projekt, pastaj të bëhet kyçja e banorëve te ujësjellësi”, shtoi Kasami.

Kur e pyetëm për dinamikën e punimeve dhe afate kohore, Kasami na tha se do na përgjigjen me shkrim. Por, nga Komuna e Tetovës deri në botimin e këtij teksti nuk u përgjigjën.

Në ndërkohë, një ditë pasi Portalb.mk e ngriti këtë çështje në Komunën e Tetovës. Banorët e kësaj lagje pranuan njoftim që t’i largojnë automjetet nga rruga për shkak të punimeve për kanalizimin atmosferik, rrethrrotullimin, trotuaret dhe ndriçimin publik.

Një nga qytetarët me të cilët biseduam na njoftoi se një ditë pasi Portalb.mk ishte në këtë lagje, punimet kanë filluar në terren.

Foto: Lagjja “Jasht Vardarit” (Facebook)

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2025 u asfaltua një rrugë tjetër në këtë lagje.

Ndryshe, punimet për rikonstruimin dhe zgjerimin e rrjetit primar të furnizimit me ujë në lagjen “Jashta Vardarit”, në gjatësi prej 2.600 metrash, nisën në maj të vitit 2025.

Bilall KasamiKanalizim fekal i ujërave të zezaKanalizimi atmosferikKomuna e TetovësRikonstruimi i rrugëve - të dëmtuara - gropaTetovaUji - ujëVideo Lajme