Qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkroi memorandum me “Kazaxhi Group”, ku siç thuhet hapet mundësia për realizimin e një projekti të rëndësishëm strategjik, me vlerë deri në një miliard euro investime që pritet të ketë një ndikim real, praktik dhe afatgjatë në sistemin energjetik të vendit, transmeton Portalb.mk.
Projekti parashikon tre komponentë kryesorë: Zhvillimin e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike; ndërtimin e një rrjeti të shpërndarjes së gazit natyror; masa për rritjen e sigurisë së furnizimit me gaz.
“Ky nuk është vetëm një projekt infrastrukturor. Ky është një projekt që ndikon në sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen ekonomike të vendit. Energjia është baza për çdo lloj prodhimi, për funksionimin e institucioneve, për jetën normale të qytetarëve. Të kemi burimin tonë dhe shpërndarjen e qëndrueshme do të thotë të kemi siguri, parashikueshmëri dhe kontroll mbi një nga sistemet më të rëndësishme në vend. Me këtë investim hapen gjithashtu mundësi të reja për industrinë, mbështet gazifikimi, hapen vende të reja pune dhe forcohet qëndrueshmëria energjetike e vendit. Në të njëjtën kohë, me zhvillimin e kapaciteteve të prodhimit vendor, zvogëlojmë varësinë nga importet dhe ndikimin e çmimeve të jashtme dhe rreziqeve politike”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Kujtojmë se më shumë se 60 përqind e investitorëve të huaj në vend kishin një numër të reduktuar porosish dhe mungesë të fuqisë punëtore në vitin 2024 krahasuar me planet fillestare. Këtë e ka treguar anketa e investitorëve më të mëdhenj të huaj, rezultatet e së cilës në shkurt të këtij viti i publikoi Këshilli i Investitorëve të Huaj, i cili funksionon në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.
Pengesat më të mëdha për bizneset e tyre në vitin 2024 ishin mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe rritja e kostove operative.
Gjithashtu, sipas prezantimit të rezultateve nga kryetari i Këshillit, Viktor Mizo, pengesat janë burokracia dhe moskonzistenca, pasiguria ligjore dhe ndryshimet e shpeshta në rregulloret e biznesit, si dhe korrupsioni dhe problemet me gjyqësorin.