U kërkua aktakuzë kundër urdhëruesve të masakrës së Reçakut

Që nga 15 janari i 1999-s, për masakrën në fshatin e Shtimes janë dënuar me 15 vjet burgim ish-polici Zoran Stanojeviq, i cili është në arrati qysh nga 2001-ta, dhe Çedomir Aksiqi, po ashtu me 15 vjet burgim, në gjykimin e zhvilluar në mungesë. Njohës të çështjeve të drejtësisë kanë shprehur vërejtjen se Serbia ende vazhdon ta mohojë masakrën e Reçakut, teksa është kërkuar që aktakuza t’u ngrihen personave që i kanë urdhëruar vrasjet, raporton Koha.net.

Për 45 viktimat e masakrës 26 vjet më parë, të kryer nga forcat serbe në Reçak, ish-polici Zoran Stanojeviq është dënuar me 15 vjet burgim, porse ai ndodhet në arrati që prej 2001-tës. Me 15 vjet burgim është dënuar në mungesë edhe Çedomir Aksiqi, si pjesëmarrës në masakër.

E 26 vjet pas saj, profesori universitar, Selim Bezeraj, thotë se Serbia ende vazhdon që ta mohojë ngjarjen e 15 janarit të 1999-s.

“Edhe Pashiqi, ai që ishte shumë më herët sesa ky [Vuçiqi] udhëheqës i Serbisë, ka mohuar krimet që kanë kryer serbët në Kosovë. Sepse pikërisht këta i kanë kryer të gjitha këto krime dhe këtë masakër të 15 janarit në Reçak. Në politikën e tyre, të Serbisë, është gjithmonë praktikë ajo që dëshirojnë që faktin ta mbulojnë me gënjeshtër, me falsifikim”, ka thënë Bezeraj.

Ehat Miftari, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se deri më tani për këtë masakër asnjëherë nuk kanë marrë dënime urdhëruesit e vrasjeve të civilëve shqiptarë.

“Nëse do të kishim një qasje shumë më gjithëpërfshirëse, të gjithë e dimë, por e di edhe Prokuroria Speciale, që masakrat që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës dihet qartë se kush ka qenë komandant i policisë, komandant i forcave ushtarake, komandant i forcave paramilitare, do të thotë grupet kriminale paraushtarake që kanë kryer krimet në Kosovë. Dhe nëse do të kishim më shumë aktakuza që e prekin zinxhirin komandues, në një mënyrë do të rritej edhe llogaridhënia edhe përgjegjësia e personave të cilët kanë qenë urdhërdhënës në këto masakra”, ka theksuar Miftaraj.

Megjithëse viteve të fundit janë zhvilluar gjykimet në mungesë për krime lufte dhe janë ngritur edhe disa aktakuza, eksperti ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare (FDH), Amer Alija, është shprehur se drejtësia për viktimat e Reçakut nuk është ofruar.

“Fare pak apo aspak është ofruar drejtësi për viktimat civile, të cilat janë vrarë 26 vjet më parë në masakrën e Reçakut. Sigurisht që këtu, një prej problemeve apo sfidave është mosbashkëpunimi i Kosovës dhe Serbisë, dhe personat të cilët i kanë bërë këto krime nuk gjenden në Kosovë. Kohëve të fundit Prokuroria Speciale, me hyrjen në fuqi të Ligjit për gjykim në mungesë, janë ngritur disa aktakuza në mungesë dhe vitin e kaluar kemi pasur edhe aktgjykimin e parë në mungesë për krimet e luftës të kryera në Komunën e Shtimes”, ka thënë ai.

I pari që më 1999 e pati alarmuar botën se në Reçak po kryhet krim kundër njerëzimit ka qenë ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ai e pati vizituar Reçakun një ditë pas masakrës dhe pasi ka parë trupat e civilëve të vrarë, ka thënë se “ky është një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

Mëngjesin e hershëm të 15 janarit të 1999-s janë vrarë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e të cilëve edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.

Dialog Kosovë - SerbiKosovaKrime lufteLufta në KosovëMasakra e ReçakutVrasje - Ekzekutim