U hap Panairi i Librit Tetova 2023, ka tituj të rinj dhe zbritje deri në 30% (Video)

Tetova për herë të dytë këtë vit mban panair të librit i cili u hap sot dhe do të zgjasë deri më 5 janar të vitit 2024. Këtë vit, panairi organizohet nga shoqata e botuesve Alef Books dhe ndryshe nga vitet paraprake tendat e librave janë vendosur në qendrën tregtare Pallma Mall. Në panair ka tituj të ri si dhe zbritje deri në 30 përqind, shkruan Portalb.mk.

Panairi këtë vit u hap nga profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Xhelal Zejneli. Ai sqaroi se këtë vit në panair marrin pjesë disa shtëpi botuese nga Shqipëria dhe Kosova.

“Panairet janë urë që lidhin lexuesin në një anë dhe librin në anën tjetër, e afrojnë me njëri tjetrin. Ky panair që organizohet këto dhjetë ditë sjell botime të reja, tituj të ri të fushave të ndryshme jo vetëm të letërsisë dhe artit por edhe të shkencës filozofisë, shkencave të natyrës dhe kështu me radhë. Nëpër stendat e shtëpive botuese do të mund të gjeni edhe lektyra shkollore”, tha Zejneli.

Profesori theksoi se duhet të kemi kulturë për librin, nuk duhet t’i frikësohemi librit, duhet të kemi librari, biblioteka, panaire të librit dhe të njëjtat t’i vizitojmë.

“Nuk duhet të dorëzohemi, ka kohë që panairet nuk na kanë funksionuar, duhet ta rigjallërojmë këtë vlerë kulturore, njerëzore dhe kombëtare. Shpresoj se të rinjtë tanë, qytetarët tanë do të gjejnë kohë ta vizitojnë”, shtoi Zejneli.

Vjollca Fetai Zalli e cila në panair kishte sjellë librat për fëmijë të autorit Shkëlzen Zalli, njëherit edhe bashkëshortit të saj të ndjerë theksoi që krijuesit të rinj të fillojnë të merren edhe me librin për fëmijë, sepse po shuhen emrat e mëdhenj të letërsisë për fëmijë.

“Uroj që brezi i ri, të rinjtë që në moshën dhjetë vjeçare të fillojnë të shkruajnë. Fëmijë afrohuni te libri shqip. Po blejnë, sidomos këto ditë kanë ardhur emigrantët, ata blejnë shumë librin e shkronjave”, tha Vjollca Fetai Zalli.

Rikujtojmë që panair të librit pati edhe gjatë verës por i njëjti përfundoi me fatkeqësi pasi u dogjën tendat ku qëndronin librat.

LibraPanairi i Librit Tetovë