Trupi Nacional Studentor, në bashkëpunim me Institutin për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euro-Atlantike, e prezantoi projektin “Të rinjtë krijojnë në vendin e tyre”, një iniciativë kjo për të cilën janë të mendimit se do t’i përgjigjet sfidave aktuale që shfaqen si pasojë e largimit të talenteve të rinj nga vendi, duke ofruar masa konkrete për mbështetje financiare dhe institucionale për të rinjtë e diplomuar në Maqedoni, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Projekti ka për qëllim të stimulojë frymën sipërmarrëse tek të rinjtë me ndarjen e vauçerëve (bonove) me vlerë deri në 10.000 euro, të cilat mund të përdoren për të krijuar startup, për të themeluar biznese ose për ta vazhduar arsimin. Sipas Trupit Nacional Studentor kjo masë ka për qëllim që të rinjve t’u krijojë mundësi që ambiciet e tyre profesionale t’i realizojnë brenda vendit dhe jo jashtë vendit dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Në kuadër të këtij projekti të rinjtë do të kenë mundësi të aplikojnë për vauçerë (bono) që do t’u mundësojnë: të themelojnë biznesin e tyre me mbështetjen e Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut; të krijojnë startup-e me mbështetjen e Fondit të Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik; të vazhdojnë arsimin në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve në universitetet në vend, ndërsa mbështetja e institucioneve shtetërore, përfshirë këtu Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Agjencinë e Punësimit, do të ishte çelësi i realizimit të suksesshëm të projektit.
“Qëllimi ynë është ta zvogëlojmë largimin e të rinjve nga Maqedonia, duke ofruar zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme për zhvillimin e karrierës të të rinjve këtu në vendin e tyre”, theksuan nga Trupi Nacional Studentor, duke shtuar se ky projekt do të ndihmojë në rritjen e inovacionit dhe kreativiteti i të rinjve, të cilët janë shtytësi kryesor i çdo ekonomie moderne.
“Nëpërmjet zhvillimit të startup-eve dhe ndërmarrjeve të rinjtë do kenë mundësinë t’i zbatojnë idetë e tyre dhe të ndërtojnë të ardhmen e vendit me modele të reja dhe inovative të biznesit”.
Sa i përket sigurimit të fondeve për këtë projekt, Trupi Nacional Studentor propozon që kjo të bëhet përmes ndarjes së fondeve tashmë ekzistuese, financimit nga buxheti, fondeve të BE-së dhe donatorëve ndërkombëtarë, si dhe kreditimit.