Tri ditë nën ritmet e yjeve botërorë, Sunny Hill Festival e mbylli me sukses kapitullin e këtij viti

Prishtina për tri ditë e net ishte në qendër të vëmendjes së adhuruesve të muzikës, teksa Sunny Hill Festival mbylli me sukses edicionin e sivjetshëm, duke sjellë në kryeqytetin e Kosovës artistë të njohur ndërkombëtarë dhe emra të rëndësishëm të skenës vendase, shkruan Portalb.mk.

Festivali, i cili u mbajt për tri ditë, nga 31 korriku deri më 2 gusht, ofroi performanca në katër skena, duke krijuar një program të larmishëm që ndërthuri pop-in, elektronikën, hip-hopin dhe zhanre të tjera muzikore.

Në mesin e emrave kryesorë ndërkombëtarë të këtij edicioni ishte Katy Perry, e cila performoi në natën e parë të festivalit. Krahas saj, publiku pati mundësinë të ndiqte edhe performancat e artistëve të njohur nga Kosova dhe më gjerë, mes tyre Dhurata Dora dhe të tjerë.

Nata e dytë solli në skenë Lewis Capaldi, ndërsa performuan edhe këngëtarë të njohur të skenës shqiptare, përfshirë Lumi B, Ledri Vula, MC Kresha dhe Lyrical Son.

Festivali u përmbyll me Martin Garrix dhe dyshen Adam Port & Rampa ndër emrat kryesorë të programit.

Përgjatë tri ditëve, hapësira e festivalit u shndërrua në një pikëtakim për mijëra adhurues të muzikës, ndërsa programi vijoi deri në orët e para të mëngjesit.

Sunny Hill Festival është festivali më i madh muzikor në Kosovë dhe një nga festivalet kryesore të muzikës në Evropën Juglindore.

I themeluar nga familja Lipa në vitin 2018, festivali është përzgjedhur tri herë në listën e 10 festivaleve më të mira evropiane të kategorisë së mesme, ndërsa promovohet ndërkombëtarisht nga fituesja e trefishtë e çmimit Grammy, Dua Lipa.

Gjatë viteve, ai e ka vendosur Prishtinën në hartën ndërkombëtare të festivaleve si një destinacion kulturor që duhet vizituar, në një vend që e do muzikën dhe di të festojë.

Mediat ndërkombëtare e kanë krahasuar Sunny Hill-in me ndikimin që Coachella pati për një qytet të vogël në shkretëtirë.

Në edicionet e kaluara kanë performuar artistë si Dua Lipa, Miley Cyrus, Calvin Harris, Shawn Mendes, J Balvin, Anyma, Stormzy, Peggy Gou, Mochakk, Black Coffee, Burna Boy, Fatboy Slim, Martin Garrix, Hardwell dhe shumë të tjerë.

Sunny Hill është vlerësuar në tri cikle të European Festival Awards.

Sunny Hill Festival është ngjarje e hapur për personat 16 vjeç e lart.

Sunny Hill Festival