“Tre tenorët” Josif Gjipali, Kastriot Tusha dhe Arif Vladi të shtunën me koncert në Tetovë

Në kuadër të edicionit të 12-të të manifestimit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, që realizohet nga Shoqata për Kulturë “Allegretto”, do të mbahet Gala Koncert i tre tenorëve të njohur shqiptar: Josif Gjipali, Kastriot Tusha dhe Arif Vladi. Ky koncert do të mbahet me datë 2 nëntor (e shtunë), ora 19.30, në sallën koncertale të Qendrës për Kulturë, Tetovë, njofton Portalb.mk.

Në këtë mbrëmje koncertale do kemi mundësi të dëgjojmë muzikë të përzgjedhur nga repertori shqiptar dhe botëror: këngë napoletane dhe arbëreshe, arie të Puçinit, muzikë nga Çesk Zadeja , Kujtim Laro, Shtrausi, këngë popullore shqiptare e të tjera.

Tre tenorët do jenë të shoqëruar nga orkestër, të cilën do ta drejtojë maestro Isak Shehu dhe ass.dirigjent Premtim Etemi.

Drejtori artistik i festivalit Fatos Lumani, për Portalb.mk tha se do të jetë një koncert pro publikut, për një publik profesional dhe më të gjerë të cilët e adhurojnë muzikën e këtyre artistëve.

“Ne si Festival jemi interesuar që të kemi koncerte të shpeshta të këtilla, të paktën një ose dy koncerte t’i kemi në vit brenda festivalit, ku do të kemi program të zgjedhur, i cili është më i afërt për publikun tonë, që është edhe artistik, por edhe të jetë i afërt dhe të jetë i pëlqyshëm për publikun tonë shqiptar”, tha drejtori artistik i festivalit, Fatos Lumani.

Skena e Muzikës Serioze Shqiptare është një nga manifestimet më të suksesshme për muzikë klasike në Maqedoni. Ky është një festival i ngritur mbi ideale të shëndosha artistike. Këtë e dëshmon aktiviteti njëmbëdhjetëvjeçar i festivalit, ku kanë qenë të pranishëm figurat dhe ansamblet më të spikatur të muzikës klasike shqiptare dhe me gjerë, si Ermonela Jaho, Inva Mula, Shkelzen Doli, Ramë Lahaj, Josif Gjilpali, Kastriot Tusha, Genc Tukiçi dhe shumë të tjerë.

Duke e parë vit pas viti konceptin e festivali, mund të vërehet kërkimi që bëjnë organizatorët drejt formave dhe ideve të reja artistike, duke qenë kështu frymëzim për publikun, që nga më të vegjlit e deri tek të rriturit. Kualiteti dhe ekselenca janë gjithmonë prioritet i këtij festivali.

Ky aktivitet realizohet me përkrahje nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e RMV-së, Qendra për Kulturë – Tetovë dhe Komuna e Tetovës.

Për të gjithë artëdashësit e muzikës klasike, hyrja për këtë koncert do të jetë e lirë (pa bileta).

KoncertKultura shqiptareKulturë lajme