Transportuesit nga Serbia dhe Bosnja vazhdojnë bllokimin e pikave kufitare drejt BE-së

Transportuesit me kamionë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina tashmë për të pestën ditë me radhë vazhdojnë të bllokojnë pikat kufitare për transportin e mallrave, transmeton Portalb.mk.

Javën e ardhshme, të martën më 3 shkurt, pritet të mbahet takim i ministrave nga Ballkani Perëndimor me përfaqësues të Komisionit Evropian lidhur me problemin e transportuesve nga rajoni në zonën Shengen.

Transportuesit nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nga mbrëmë i ndërprenë bllokadat pasi Komisioni Evropian publikoi një strategji të re vizash, e cila pritet të zgjidhë problemin me kufizimet e qëndrimit të shoferëve profesionistë në zonën Shengen.

Komisioni Evropian miratoi një strategji të re vizash, në kuadër të së cilës do të shqyrtohet një regjim i veçantë që do t’u mundësojë transportuesve të qëndrojnë në zonën Shengen më gjatë se 90 ditë, pa pasur nevojë për leje pune apo qëndrimi, por me kontroll të rreptë dhe rregulla qartë të përcaktuara.

Strategjia e re u miratua pas bllokadave që transportuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor i nisën më 26 janar, si reagim ndaj rregullave të rrepta të BE-së për qëndrimin në zonën Shengen.

Transportuesit me kamionë janë të revoltuar me rregullat e EES-it, sepse sipas tyre trajtohen si turistë dhe u lejohet qëndrimi në vendet e BE-së maksimumi 90 ditë brenda periudhës prej 180 ditësh.

ETIAS - EESKomisioni Evropian (KE)Protesta