Kur çezma thahet: Gratë mbajnë më shumë se vetëm ujë në Kazakistan

Ky tekst është përgatitur nga Nazgul Ajdabosinova nga Kazakistani, përmes skemës së granteve Digital Spark, si pjesë e projektit Mekanizmi Rajonal për Mbështetjen e ELAQ-së, i cili zbatohet nga Fondacioni Metamorphosis dhe TechSoup, në partneritet me CIVICUS dhe në kuadër të Iniciativës për Demokraci Digjitale (DDI), e cila e përfshin Jugun Global. Teksti publikohet në Global Voices si pjesë e marrëveshjes për ndarjen e përmbajtjeve.

Në fshatin Kizilsaj, në jug të Kazakistanit, uji zhduket çdo pasdite. Kjo nuk është metaforë. Deri në mesditë, tubacionet thjesht thahen.

Gratë zgjohen para agimit për të mbushur çdo enë që kanë. Më pas presin që uji të vijë përsëri. Ndërsa presin, mbajnë kova në kopshte, ushqejnë bagëtinë, i çojnë fëmijët në shkollë dhe mbi supet e tyre mbajnë një mal të padukshëm pune, të cilën askush nuk e vlerëson, askush nuk e paguan dhe askush nuk e sheh. Dhjetë gra vendosën ta ndryshojnë këtë.

Problemi që askush nuk e merr parasysh

Kizilsaj ndodhet në një nga pjesët më të nxehta të Kazakistanit. Verat këtu tani thyejnë rekorde që, sipas banorëve të moshuar, nuk kanë ekzistuar 20 vjet më parë. Sipas të dhënave të vetë Kazakistanit, humbjet e ujit në zonat rurale arrijnë në 40–60 për qind. Në shumë zona rurale gjithashtu mungon infrastruktura e përshtatshme sanitare. Sipas hulumtimit të The Borgen Project, madje edhe kur ka ujë, ai nuk është gjithmonë i sigurt për t’u pirë. Për gratë e Kizilsajit, kjo nuk është thjesht statistikë, por një realitet me të cilin përballen çdo ditë, kur pasdite çezmat thahen.

Në qershor të vitit 2026, UN Women publikoi një raport të rëndësishëm me titull “Përparimi i grave në botë 2026: Barazia gjinore në epokën e krizës klimatike”. Në të thuhej qartë ajo që gratë e Kizilsajit e kishin kuptuar tashmë thellë në vetvete. Nuk mund të ndërtohet një bujqësi e qëndrueshme, e as ndonjë e ardhme e qëndrueshme, pa përfshirjen e “ekonomisë së kujdesit” në planifikimin klimatik dhe bujqësor.

Gratë në zonat rurale e mbajnë barrën më të madhe të mungesës së energjisë, punës fizike dhe kujdesit për bagëtinë. Si rezultat i kësaj, atyre nuk u mbetet pothuajse aspak kohë për të mësuar, për të fituar të ardhura ose për t’u organizuar.

Natalia Solntseva mbush një kovë për të ujitur kopshtin e gjyshes së saj në Koksaj, në rajonin e Almatit. Foto: Central Asian Bureau for Analytical Reporting (CABAR.asia). Për përdorim të lirë..

Gratë në zonat rurale të Kazakistanit punojnë nga 10 deri në 15 orë në ditë, ndërsa pjesa më e madhe e kësaj pune nuk evidentohet dhe nuk paguhet. Në Kizilsaj, kjo nënkupton zgjimin në orën 4 të mëngjesit në ditët e ujitjes dhe kalimin e pesë orëve në fushë, duke vëzhguar rrjedhën e ujit nëpër kanalet e ujitjes. Nëse e humbisni radhën tuaj për ujitje, kopshti juaj shkatërrohet. Pesë orë, tri herë në javë: nga 40 deri në 60 orë në muaj, të shpenzuara për një nga detyrat më pak të vlerësuara që mund të imagjinohen.

Një telefon që mund të bëjë shumë më tepër se WhatsApp-i

Unë jam Nazgul dhe, nga maji deri në qershor të vitit 2026, në kuadër të projektit “Zëri digjital i grave të Kizilsajit”, zhvillova katër trajnime për gratë në Kizilsaj. Ideja ishte e thjeshtë: shumica e grave në këtë komunitet tashmë kishin telefona të mençur. Ajo që u mungonte ishte njohuria se këta telefona mund t’i përdornin për shumë më tepër sesa vetëm për të dërguar mesazhe.

Filluam me gjërat bazë: vendosjen e rikujtuesve për kujdesin ndaj bagëtisë, mbajtjen e ditarëve të fermës me fotografi dhe trajnimin për aplikacionin eGov, përmes të cilit mund të kërkoni dokumente zyrtare të qeverisë pa udhëtuar deri në qytet.

Për gratë që kishin pritur me orë të tëra në radhë para institucioneve shtetërore vetëm për të marrë një çertifikatë nga libri amë i lindjeve, kjo nuk ishte thjesht një lehtësim, por një zbulim i vërtetë.

Më pas kaluam te çështja e ujit.

Dëshmi që nuk mund të injorohen

Çezmë në zonat rurale të Kazakistanit, nga e cila rrjedh ujë i turbullt, me ngjyrë kafe. Foto: Central Asian Bureau for Analytical Reporting (CABAR.asia). Për përdorim të lirë.

Trajnimi i dytë titullohej “Uji i mençur: Kur kopshti juaj ju tregon se ka etje”. Pjesëmarrëset mësuan se si t’i fotografojnë problemet me ujin, siç janë kanalet e thata, tubacionet e prishura dhe burimet e ndotura, ku fotografive u vendoset automatikisht data dhe ora. Këto fotografi i quajtëm “Kartat e problemeve me ujin”. Një fotografi pa meta të dhëna është vetëm një opinion. Një fotografi me koordinata GPS, datë dhe përshkrim është dëshmi.

Folëm për të drejtat që lidhen me ujin në Kazakistan në një gjuhë të kuptueshme, pa zhargon juridik. Shumica e grave nuk kishin dëgjuar kurrë se qasja në ujë të pastër nuk është një shërbim që ofrohet nga pushteti lokal, por një e drejtë ligjore.

Njëra nga pjesëmarrëset tha: “Gjithmonë kam menduar se na injorojnë sepse munden. Tani e di se na injorojnë sepse nuk kemi prova. Prandaj, tani e tutje do të kemi dëshmi.”

Shifra që ndryshoi gjithçka

Trajnimi i tretë ishte më i rëndësishmi. Së bashku llogaritëm koston reale të një litri qumësht, duke përfshirë edhe kohën e gruas, të llogaritur sipas pagës minimale. Në dhomë mbretëroi heshtja kur pjesëmarrëset kuptuan se ato po i subvenciononin blerësit e tyre. Ato po udhëhiqnin organizata bamirësie, e jo biznese.

Gjithashtu, llogaritëm se çfarë do të mundësonte automatizimi i ujitjes së mençur: 60 orë në muaj. Gjashtëdhjetë orë që do të mund të shfrytëzoheshin për të shkuar në pazar, për të ndjekur kurse online, për të pushuar ose për të marrë pjesë në aktivitete qytetare. Me 500 KZT (tenge kazakistaneze), ose 1,09 dollarë amerikanë në orë, kjo arrin në 30.000 KZT (65,17 dollarë amerikanë) gjatë një sezoni të kultivimit – mjaftueshëm për të mbuluar koston e sistemit të përbashkët të automatizuar të pompimit.

Deri në trajnimin e katërt, biseda tashmë kishte marrë një drejtim tjetër. Nuk flisnim më për telefona individualë. Flisnim për fuqinë kolektive.

Rezultati më i rëndësishëm i këtyre katër muajve nuk ishte edukimi digjital, por besimi. Gratë pjesëmarrëse, të cilat kishin punuar së bashku për vite me radhë, vendosën të formonin një kooperativë.

Kooperativa ka disa qëllime: të përballet së bashku me krizën e furnizimit me ujë në fshat përmes dokumentimit të problemeve, avokimit të organizuar dhe infrastrukturës së përbashkët për ujitje të mençur, si dhe ta bëjë të dukshme punën e grave, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë qytetar.

Çfarë më tej

Modeli i përcjelljes së njohurive nga trajnimi i katërt tashmë është duke u zbatuar: tri pjesëmarrëse kanë filluar t’ua përcjellin fqinjëve atë që e mësuan në trajnimet tona.

Kooperativa do të paraqesë një aplikim të përbashkët për një grant për instalimin e një sistemi të përbashkët të mençur për pusin.

Ndryshimi afatgjatë që sjell projekti është më i vështirë për t’u matur. Kur një grua mëson ta llogarisë vlerën e kohës së saj, paraqet një fotografi dhe thotë: “Kjo është dëshmi dhe ata duhet të përgjigjen”, ndodh një ndryshim i qëndrueshëm, si tek ajo personalisht, ashtu edhe në komunitet.

Uji në Kizilsaj vazhdon të mungojë çdo pasdite. Por tani, gratë që çdo ditë e bartin ujin në shtëpitë e tyre, e kanë gjetur zërin e tyre.

Barazi gjinoreCIVICUSKazakistan