Teuta Arifi para gjykatës nën akuza për keqpërdorim të financave publike, thotë se nuk ka bërë gabime

Në Gjykatën e Tetovës sot u mbajt seanca e tretë e procesit gjyqësor ndaj ish-kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila akuzohet për keqpërdorime financiare me angazhimin e personave me kontrata në vepër, transmeton Portalb.mk.

Sipas propozimakuzës, Teuta Arifi, në cilësinë e personit zyrtar si kryetare komune, gjatë vitit 2021 ka tejkaluar kufijtë e kompetencave të saj, me qëllim që t’u sigurojë të tjerëve përfitim të konsiderueshëm pasuror në vlerë prej 9.375.200 denarësh.

Në akuzë thuhet gjithashtu se janë lidhur kontrata me 182 persona, pa u përfshirë ata në procesin organizativ të punës.

Gjatë seancës së sotme u dëgjuan dëshmitarë, përkatësisht persona ë cilët gjatë mandatit të saj kishin qenë të angazhuar me kontrata në vepër.

Në seancën e sotme u dëgjuan edhe revizorët e brendshëm, të cilët u morën në pyetje nga prokurori publik dhe nga avokatët.

Revizorët deklaruan se revizioni i brendshëm është kryer me kërkesë të kreut aktual të komunës, Bilall Kasami, në periudhën janar-mars 2022.

Të pyetur nëse kontratat janë realizuar përmes ndonjë agjencie punësimi apo drejtpërdrejt nga komuna, revizorët thanë se nuk ka pasur agjenci të angazhuar.

Pas përfundimit të seancës, Teuta Arifi vlerësoi se kallëzimi penal i parashtruar nga kryetari aktual është bërë me qëllim të përfitimit të pikëve politike.

“Është kallëzim penal nga ana e kreut aktual të komunës dhe ishit brenda i dëgjuat dëshmitarët që treguan se kanë shkuar, kanë qenë në vend të punës dhe është e ulët e turpshme që qytetarët e këtij qyteti që kanë bë një punë, cila qoftë ajo, me i marr dhe me i tërheq gjyqeve për t’iu marrë deklarata nëpër gjykata. Nuk është problem, unë nuk kam bë asnjë gabim me tendencë. Kam tentuar gjithnjë të jem ndihmesë e qytetarit tim. Do e ndiqni procesin dhe besoj se autoritetet gjyqësore do kenë integritetin të vendosin si duhet për çdo qytetar të këtij shteti”, deklaroi Arifi.

Seanca e ardhshme është caktuar për më 1 dhjetor, kur parashihet të paraqiten prova tjera.

Si erdhi deri te gjykimi?

Pas ardhjes në krye të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami me 8 shkurt të vitit 2022 publikoi listën e kontratave në vepër për vitin 2021 të paguara nga buxheti komunal me nënshkrim të ish-kryetares Teuta Arifi. Ai pati deklaruar se pagesat e tilla janë joligjore dhe se kishte dorëzuar padi në prokurori për keqpërdorim të fondeve të komunës.

Kjo lëndë më pas u zvarrit nëpër Prokurori, ndërsa Prokuroria gjatë vitit 2023 nuk jepte gjithmonë detaje kur u pyet nga Portalb.mk për vijueshmërinë e kësaj lënde.

Bilall KasamiKeqpërdorim i pozitës zyrtareKomuna e TetovësTetovaTeuta ArifiVideo Lajme