Kroacia u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian një dokument, në të cilin paraqet qëndrimin e saj kombëtar për çështjet e pazgjidhura me Malin e Zi, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Në të, Zagrebi rendit kushtet që Mali i Zi duhet t’i përmbushë përpara se të anëtarësohet në bllokun evropian.
Një pjesë të këtyre kërkesave, Kroacia i lidh drejtpërdrejt me mbylljen e kapitujve negociues 23 (Gjyqësori dhe të drejtat themelore) dhe 31 (Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes).
Siç mëson Radio Evropa e Lirë nga burime diplomatike, Kroacia ua ka përcjellë dokumentin vendeve të tjera anëtare në fillim të kësaj jave.
Në dokumentin që siguroi REL-i, thuhet se çështjet kryesore të pazgjidhura “duhet të zgjidhen përpara se Mali i Zi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”.
Zagrebi thekson se përparimi konkret në këto çështje është vendimtar për sigurimin e mbështetjes së gjerë publike, politike dhe parlamentare në Kroaci, përfshirë ratifikimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në BE.
Gjashtë kërkesat në kuadër të Kapitullit 23
Shumica e kërkesave lidhen me pasojat e luftërave të viteve 1990 dhe janë përfshirë në Kapitullin 23.
Ky kapitull, së bashku me Kapitullin 24, është njëri nga dy kapitujt kryesorë që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
Në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, këta dy kapituj hapen të parët dhe mbyllen të fundit, ndërsa përparimi në ta përcakton ritmin e gjithë procesit të anëtarësimit.
- Dëmshpërblimi i personave të mbajtur në kampin e Morinjit. Sipas dokumentit, nga tetori i vitit 1991 deri në gusht të vitit 1992, në këtë kamp u mbajtën të ndaluar mbi 300 shtetas kroatë, kryesisht nga rajoni i Dubrovnikut.
- Ruajtja e pllakës përkujtimore në Morinj. Pllaka u zbulua bashkërisht nga ministrat e dy vendeve më 10 tetor 2022, me një tekst të propozuar nga pala malazeze. Kroacia thotë se, ndërkohë, rreth pllakës është vendosur një strukturë më e madhe metalike, mësa duket për një panel që mund ta mbulojë atë, përveç rasteve kur mbahen ceremoni zyrtare përkujtimore.
- Ndryshimi i emrit të pishinës së qytetit në Kotor. Pishina mban emrin e vaterpolistit Zoran Gopçeviq, i cili, sipas palës kroate, kishte shërbyer si roje në kampin e Morinjit gjatë viteve 1991-1992. Për këtë arsye, klubet kroate kishin refuzuar të luanin në atë pishinë, ndërsa kombëtarja kroate kishte kërcënuar me bojkotimin e finales së madhe të Kupës së Botës më 2025. Bojkotimi u shmang pasi ndeshjet e Kroacisë u zhvendosën në Budvë.
- Zbardhja e fatit të 14 shtetasve të zhdukur kroatë. Kroacia kërkon bashkëpunim të plotë nga autoritetet malazeze, shkëmbim informacionesh dhe qasje në arkiva për të sqaruar fatin e tyre.
- Ndjekja penale e krimeve të luftës, përfshirë ato mbi bazën e përgjegjësisë komanduese. Sipas Zagrebit, në Mal të Zi nuk është dhënë asnjë vendim gjyqësor për krime lufte mbi këtë bazë.
- Zgjidhja e çështjes së të drejtave pronësore të familjeve kroate, përfshirë 51 familje nga Tivati dhe familje të tjera nga Gjiri i Kotorit. Kërkesat e tyre nuk janë zgjidhur, pavarësisht vendimeve gjyqësore të formës së prerë ose procedurave të zgjatura. Zagrebi e krahason këtë situatë me ligjin e vitit 2021, përmes të cilit tokat në gjirin e Valdanosit iu kthyen ish-pronarëve, kryesisht pjesëtarë të pakicës shqiptare, dhe paralajmëron për trajtim të pabarabartë të rasteve të ngjashme.
Anija Jadran dhe çështja e kufirit
Dy kërkesat tjera lidhen me Kapitullin 31. Mali i Zi nuk ka arritur ta mbyllë këtë kapitull që nga viti 2024, për shkak të bllokadës së Kroacisë, e cila pasoi miratimin e rezolutës për Jasenovacin nga Kuvendi i Malit të Zi.
- Kthimi i anijes shkollore Jadran. Sipas Kroacisë, anija ndodhej në Mal të Zi për riparime kur shpërtheu lufta në vitin 1991 dhe i përket Kroacisë në bazë të Marrëveshjes për Çështjet e Trashëgimisë së ish-Jugosllavisë, të vitit 2001.
- Çështja e kufirit. Kroacia kërkon që Mali i Zi të konfirmojë se respekton kufirin e dikurshëm ndërmjet dy republikave, në përputhje me parimin juridik uti possidetis juris, të konfirmuar nga Komisioni i Badinterit. Zagrebi kërkon, gjithashtu, nënshkrimin e një marrëveshjeje për kufirin tokësor, bazuar në tri harta ekzistuese. Pas zgjidhjes së çështjes së kufirit tokësor, Kroacia do të ishte e gatshme të thërriste rregullisht mbledhje të komisioneve për përcaktimin e kufirit detar, por pa caktuar afate konkrete.
Pse është i rëndësishëm ky dokument?
Qëndrimi i përbashkët i BE-së është një dokument përmes të cilit vendet anëtare përcaktojnë qëndrimin e Bashkimit Evropian për hapjen ose mbylljen e një kapitulli të caktuar negociues, përfshirë kriteret që duhet t’i përmbushë vendi kandidat.
Drafti hartohet nga Komisioni Evropian, pasi vendi kandidat dorëzon qëndrimin e tij negociues për kapitullin përkatës.
Në të, Komisioni vlerëson shkallën e përafrimit të legjislacionit të vendit me atë të BE-së dhe propozon kushtet që duhet të përmbushen.
Drafti, më pas, shqyrtohet nga diplomatët e të 27 vendeve anëtare në Grupin Punues të Këshillit të BE-së për Zgjerimin.
Pikërisht në këtë fazë zhvillohen negociatat politike, pasi vendet anëtare mund të kërkojnë ndryshime, kushte shtesë ose shtyrje të procesit.
Meqë qëndrimi i përbashkët miratohet njëzëri, secili vend anëtar ka praktikisht të drejtën e vetos.
Në këtë fazë, vendet anëtare shpesh e kushtëzojnë përparimin e një vendi kandidat me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Vetëm pasi të gjitha vendet anëtare arrijnë pajtim, drafti shndërrohet në qëndrim të përbashkët të BE-së.
Ai i paraqitet vendit kandidat në një konferencë ndërqeveritare, ku kapitulli hapet zyrtarisht ose mbyllet përkohësisht.
Pëlqimi i të gjitha vendeve anëtare kërkohet edhe për ratifikimin e Traktatit të Anëtarësimit.
Se Zagrebi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kërkesat e tij, la të kuptohet të hënën edhe ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërlliq Radman.
Pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, më 12 tetor në Luksemburg, ai u tha gazetarëve se kërkesat e Zagrebit lidhen me trashëgiminë e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe të Luftës për Atdhe, siç njihet në Kroaci lufta e viteve 1990.
Sipas tij, këto janë çështje të të drejtave të njeriut.
“Këtu po flasim edhe për sundimin e ligjit. Këto janë të drejta themelore. Gjatë këtyre 20, përkatësisht 35 vjetëve, asnjëra prej këtyre çështjeve nuk është zgjidhur”, tha ai.
Mbështetje për Malin e Zi, por duke mbrojtur interesat kombëtare të Kroacisë
Kroacia thekson në dokument se i ka mbështetur vazhdimisht integrimet euroatlantike të Malit të Zi, përfshirë anëtarësimin e tij në NATO.
Ajo përmend se i ka vënë në dispozicion Malit të Zi përkthimin në kroatisht të legjislacionit të BE-së, me vlerë prej tetë milionë eurosh.
Në të njëjtën kohë, Zagrebi pretendon se “veprimet e papritura të njëanshme” të autoriteteve malazeze kanë rindezur tensionet historike dhe kanë vënë në pikëpyetje mbështetjen e gjerë në Kroaci për anëtarësimin e Malit të Zi në BE.
Sipas dokumentit, Kroacia i kishte dorëzuar Malit të Zi që në dhjetor të vitit 2023 një dokument joformal (non-paper) me listën e çështjeve të pazgjidhura. Këtë dokument e kishte ndarë edhe me vendet anëtare të BE-së dhe me Komisionin Evropian.
Konsultime dypalëshe u zhvilluan në janar dhe në maj të vitit 2025, ndërsa ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve u takuan rreth dhjetë herë gjatë vitit 2026 – çdo herë me nismën e Zagrebit.
“Asnjëra nga çështjet e hapura nuk është zgjidhur ende”, thuhet në dokument.
Kroacia thekson se synon ta lehtësojë, e jo ta pengojë, anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe se kërkesat e saj janë të kufizuara, të përcaktuara qartë dhe të realizueshme.