Tre të vrarë nga sulmet ruse në Kiev, Zelensky tha se Perëndimi nuk paralajmëroi

Moska ndërmori një valë sulmesh me raketa balistike ndaj Kievit, gjatë natës dhe mëngjesit, duke vrarë së paku tre persona dhe plagosur mbi 20 të tjerë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij nuk kishte marrë asnjë paralajmërim paraprak nga partnerët perëndimorë për lëshimin e raketave.

Forcat ruse goditën disa objekte energjetike në Kiev, njoftoi kryetari i qytetit, Vitali Klitschko, më 14 tetor.

Sulmet ndodhën pasi Ukraina e akuzoi Rusinë për shkeljen e armëpushimit të shpallur nga presidenti amerikan, Donald Trump, lidhur me sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.

Të paktën pesë rajone të Kievit mbetën pa energji elektrike, pasi një sulm rus gjatë natës goditi njërin nga termocentralet kryesore të kryeqytetit, njoftoi kompania energjetike, DTEK.

Shërbimi ukrainas i Emergjencave tha se tre persona janë vrarë dhe 21 të tjerë, përfshirë një fëmijë, janë plagosur.

“Nuk e kisha menduar kurrë se do të largohesha nga vendi, por kam një fëmijë adoleshent dhe, për hir të vajzës sime, qenit tim dhe sigurisë sonë, do të largohem së shpejti”, tha për Radion Evropa e Lirë një banore e Kievit, në vendin ku ishte goditur një ndërtesë banimi.

“Sipas informacioneve të inteligjencës sonë, Rusia po përgatit sulme të tjera me raketa balistike”, tha Zelensky vonë më 13 tetor.

“Është e rëndësishme që bota të mos heshtë për këtë”, tha ai, duke shtuar se, po ashtu, “është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara ta shohin vërtet se çfarë po ndodh dhe kush është përgjegjës për vazhdimin e kësaj lufte”.

Zelensky rikonfirmoi mbështetjen e Ukrainës për një armëpushim që do t’u jepte fund sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.

“Rusia po sulmon rrjetin energjetik të Ukrainës, ndërtesat e banimit dhe infrastrukturën kritike, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në Kiev, pengesa në furnizimin me ujë dhe, më tragjikja, duke vrarë edhe më shumë civilë”, tha Denys Sienik, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Ukrainës në Uashington.

Sulmet ndodhën pak ditë pasi Trump njoftoi për një marrëveshje që i lejon eksportet e naftës ruse dizel.

Trump tha se, sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do të importojnë menjëherë 300.000 tonë metrikë naftë dizel nga Rusia, ndërsa pritet të pasojnë edhe miliona tonë të tjerë.

Ky vendim nxiti kritika nga aleatët evropianë, si dhe nga demokratët dhe republikanët në SHBA, të cilët paralajmëruan se ai mund ta inkurajojë presidentin rus, Vladimir Putin, të vazhdojë luftën kundër Ukrainës.

Në një letër drejtuar Trumpit, një grup dypartiak prej 12 senatorësh i bëri thirrje atij që të tërhiqet nga marrëveshja për naftën dizel me Rusinë, duke e cilësuar atë si “dhuratë për kundërshtarin tonë” dhe “tradhti ndaj aleatëve tanë”.

“Lejimi i Moskës që të shesë lirshëm naftë dizel në tregjet globale dëmton interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe përbën tradhti ndaj popullit të Ukrainës”, shkruan senatorët në letër.

Lufta në UkrainëRusiaUkraina