Të përgatitur për të mbijetuar

Ne duhej të ishim të përgatitur për të mbijetuar edhe në kushte ekstreme. Duhej të mendonim edhe për ditët e zeza që mund të vinin.

Një brez i formuar në kësi rrethanash, mendon gjatë për gjithçka, madje edhe për gjërat që duhet të jenë detyrë e shtetit të munguar.

Të rritur me ndjenjën e mbijetesës, sot shpesh bëhemi të mërzitshëm kur kërkojmë nga më të rinjtë diçka që për ata është e palogjikshme.

Brezi i ri, i rritur me kushte më të mira, e ka më pak të shprehur ndjenjën e mbijetesës. Sadoqë mund të duket e gabuar, kjo është një përparësi, sepse mbijetesa është tentim për të mbetur gjallë në rrethana të vështira, është frikë nga e ardhmja, kurse jeta është zgjedhje e lirë dhe krijim. Kush jeton me frikën e përhershme se çfarë do të sjellë e ardhmja, përjeton ankth.

Në gjendje të emergjencës së përhershme, njeriu priret të mendojë më shumë për gjëra ekzistenciale sesa esenciale. U jep shumë rëndësi edhe detajeve të parëndësishme.

Dücane Cündioğlu, në librin “Motto” shkroi: “Si mund të mendojë njeriu që gjithnjë është në gjendje të jashtëzakonshme, në gjendje emergjence, në luftë të vazhdueshme për mbijetesë?”.

Sipas tij, e njëjta vlen edhe për kombet dhe qytetërimet.

“Në Lindje, historia gjithmonë merr një gjendje të jashtëzakonshme, është histori e gjendjes emergjente; ky është shkaku pse pushtetet janë të privuar nga pedanteria dhe delikatesa”.

Prijësit e vendeve të rajonit janë rritur në kushte mbijetese, prandaj u mungon pedanteria gjatë përgjegjësisë publike.

Ata shpesh e përsëritin parullën e mërzitshme se “e ardhmja u takon të rinjve”, në vend se të thonë se të rinjve duhet t’u takojë e sotmja. Në të ardhmen s’do të jenë të rinj.

Ky është shkaku pse të rinjtë ndihen gjithnjë e më pak të përfaqësuar. Ata duhet të jetojnë dhe jo të mbijetojnë…

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu