Të hënën dhe të martën do të mbahet Karnevali i Vevçanit

Karnavali tradicional i Vevçanit, një nga karnavalet më të vjetra në Ballkan, do të mbahet më 12 dhe 13 janar, me procesionin qendror më 13 janar nga ora 13, kur në qendër të Vevçanit do të takohen karnevalistët nga dy mëhallët. Kjo ishte paralajmëruar sot në konferencë për media në Shkup, me rastin e edicionit të këtij viti të “Karnavalit të Vevçanit 2026”, raporton MIA.

Kryetari i Komunës Vevçan, Spase Koçoski, u bëri thirrje qytetarëve që ta vizitojnë manifestimin, duke theksuar se gjatë ditëve të karnavalit i gjithë fshati jeton në frymën e traditës dhe bashkimit.

Organizatorët paralajmëruan dhe program të pasur muzikor.

Karnavali i Vevçanit, me traditë që daton rreth 1.400 vjet më parë, është një përzierje e zakoneve pagane, traditës së krishterë dhe satirës bashkëkohore dhe ka një rol të fortë shoqëror dhe kulturor në bashkësi. Karnavali shënon simbolikisht kalimin nga viti i vjetër në të riun dhe nevojën për pastrim, ripërtëritje dhe fillim të ri.

Karnavali i Vevçanit, i cili mbahet me rastin e Vitit të Ri sipas kalendarit të vjetër, njihet për paraqitjen satirike të ngjarjeve të jetës publike dhe politike, përmes maskave dhe personifikimit të ndryshëm.

Karnavali zgjat dy ditë, ndërsa në ditën e dytë të gjithë pjesëmarrësit djegin maskat, me simbolikën se e keqja nuk do të përsëritet.

Ndryshe, në Karnavalin e Vevçanit, “dhëndri” dhe “nusja” janë personazhet-maskat kryesore të karnavalit. Maskat mbahen në fshehtësi të madhe deri në paraqitjen në paradë, dhe nuk përsëriten kurrë në asnjë nga karnavalet e mëpasshme.

Më 27 shkurt të vitit 2024, Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka shpallur Karnavalin e Vevçanit si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë, nënkategoria rëndësi të jashtëzakonshme.

Karnevalet e VevçanitKulturë lajmeMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)Vevçani