Të dhënat e hapura janë karburanti i së ardhmes, ndërsa institucionet në Maqedoninë e Veriut duhet ta përmirësojnë qasjen, hapjen dhe transparencën e tyre. Sot, në organizim të Ministrisë për Transformim Digjital dhe Fondacionit Metamorfosis, u mbajt debat publik mbi tekstin e Propozim-ligjit për të dhëna të hapura dhe ripërdorimin e të dhënave nga sektori publik, i cili është i harmonizuar me direktivat evropiane dhe synon të përcaktojë rregullat dhe mënyrat e qasjes në të dhënat e hapura, si dhe t’u vendosë institucioneve shtetërore protokolle të qarta se cilat të dhëna duhet t’i publikojnë dhe t’i bëjnë të qasshme për publikun, transmeton Portalb.mk.
Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, theksoi se ligji është me rëndësi të madhe sepse do t’u ndihmojë institucioneve se si t’i ndajnë të dhënat, por edhe të përcaktojnë informacionet që janë të rëndësishme për organizatat joqeveritare dhe qytetarët, duke i obliguar t’i ndajnë ato me publikun.
Ai vuri në dukje se ky është ligji i gjashtë që harmonizohet në Kapitullin 10 dhe është shumë i rëndësishëm për përmbushjen e standardeve dhe për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që nënkupton zhvillim dhe transparencë institucionale.
“Gjithçka që krijohet me mjete publike duhet të jetë e qasshme për publikun. Institucionet publike shpesh nuk e dinë se çfarë përbën të dhënë të hapur, si duhet të publikohet dhe nuk kanë njohuri e kapacitete të mjaftueshme për publikim të vazhdueshëm”, tha Andonovski.
Në kuadër të procesit parashihet edhe ridizajnimi i Portalit për të dhëna të hapura data.gov.mk. Sistemi operativ i portalit është ndryshuar dhe tani është më i qasshëm, ndërsa në bashkëpunim me Telekomin e Maqedonisë, ministria ka zhvilluar një chatbot me inteligjencë artificiale që do t’u ndihmojë qytetarëve dhe të interesuarve të gjejnë më lehtë të dhënat. Përmirësimi teknik do të mundësojë tërheqjen automatike të të dhënave, duke gjeneruar sete të mëdha të dhënash që pritet të tërheqin më shumë përdorues.
Dançe Danillovska Bajdevska, drejtoreshë programore e Fondacionit Metamorfosis, theksoi se të dhënat e hapura janë karburanti i së ardhmes dhe se koncepti bazohet në parimin e qasjes së hapur dhe shërbimit ndaj interesit publik, përmes fuqizimit të qytetarëve, përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe nxitjes së zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të informuar.
“Në vend ky koncept sistemik ka filluar të trajtohet në vitin 2011, në vitin 2014 u miratua Ligji për përdorimin e të dhënave nga sektori publik, ndërsa Metamorfosis është i përfshirë në këtë proces që nga fillimet. Ne tashmë i kemi dorëzuar komentet tona për tekstin e draft-ligjit”, tha Danillovska Bajadevska.
Ligji i ri për të dhëna të hapura dhe ripërdorimin e të dhënave nga sektori publik është transpozim i Direktivës 2019/1024 të BE-së, ku risi është shtrirja e të dhënave të hapura sipas parimit që gjithçka të jetë e hapur, përveç përjashtimeve si të dhënat personale dhe të klasifikuara, të dhënat nga hulumtimet dhe setet e të dhënave me vlerë të lartë.
Siç theksoi Sandra Anastasovska nga Ministria për Transformim Digjital, qëllimi i ligjit është nxitja e inovacioneve dhe aplikacioneve të reja, shërbimeve, përmirësimi i cilësisë së të dhënave dhe zhvillimi i ekonomisë, konkurrueshmërisë dhe shoqërisë informatike. Shtrirja e institucioneve që obligohen të hapin të dhënat është e gjerë dhe përfshin edhe ndërmarrjet publike.
“Obligim i ri është që institucionet të kenë zyrtar për të dhëna të hapura, me përditësim të rregullt dhe në tërësi, të dhënat duhet të jenë në format të lexueshëm dhe të paraparë. Ligji parashikon edhe katalogun qendror, pra portalin data.gov.mk si pikë të vetme të qasjes, pa përjashtuar mundësinë që institucionet të kenë katalogët e tyre”, tha Anastasovska.
Ligji përcakton edhe kategoritë e të dhënave që duhet të jenë të hapura: të dhënat gjeohapësinore, mjedisore, meteorologjike, statistikore dhe të transportit. Risi janë edhe dispozitat e mbikëqyrjes, më herët parashihej vetëm edukim i institucioneve pa sanksione, ndërsa tani janë paraparë masa ndëshkuese për të nxitur zbatimin e detyrimeve ligjore.
Stanislav Vasilkovski nga Ministria për Transformim Digjital informoi se Portali për të dhëna të hapura është platforma ku institucionet publikojnë të dhënat dhe ku të gjithë të interesuarit kanë qasje të lirë për t’i shfletuar dhe përdorur. Ai është mjeti kyç për transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa me ridizajnimin po përmirësohen funksionalitetet, qasja dhe planifikohet integrimi me sisteme të tjera.
“Risi është opsioni ‘institucionet më aktive’, i krijuar për t’i nxitur të publikojnë më shpesh të dhëna. Përmirësimi mundëson publikim dhe përditësim automatik, mbështetje për formate të ndryshme dhe siguri të rritur”, tha Vasilkovski, duke shtuar se asistenti me IA, i zhvilluar me Telekomin e Maqedonisë, mundëson kërkim dhe përdorim të të dhënave përmes gjuhës natyrore dhe e thjeshton përdorimin e portalit.
Pjesëmarrësit në debatin publik kërkuan që ligji të parashikojë afate për publikimin e të dhënave të hapura, si dhe përgjegjësi në rast të publikimit të të dhënave të pasakta ose të papërditësuara në kohë.