Me sallën e mbushur plotë me publik, në Teatrin Shqiptar në Shkup mbrëmë u hap edicioni i katërt i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu”. Festivali nisi me shfaqjen “Drejtësi në Nuremberg” të Teatrit Kombëtar të Tiranës, me tekst të Abby Mann dhe regji të Arben Kumbaros, shkruan Portalb.mk.
Drama e vendos publikun përballë gjyqit ndaj gjyqtarëve nazistë pas Luftës së Dytë Botërore dhe përgjegjësisë së tyre për vendimet e marra në emër të ligjit. Në qendër të saj është përballja mes zbatimit të ligjeve të padrejta dhe përgjegjësisë morale të individit. Përmes kësaj historie, shfaqja ngre pyetje mbi fajin, ndërgjegjen njerëzore dhe pasojat e heshtjes përballë krimit.
Drejtori i Teatrit Shqiptar në Shkup, Ismet Ramadani, e shpalli të hapur edicionin e katërt të festivalit “Moisiu”, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve teatrore shqiptare.
“Të gjithë ndajmë një përgjegjësi dhe një vizion për këtë projekt të përbashkët. Ajo që do të shihni e përjetoni gjatë netëve në vijim është fryt i një pune njëvjeçare dhe i bashkëpunimit ndërmjet Teatrit Shqiptar në Shkup, Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës. Por ‘Moisiu’ nuk fillon sot. Ai është vazhdimësi e një ideje të kahmotshme, e cila, falë vullnetit të institucioneve tona, u shndërrua në një projekt të përbashkët. Sot kemi kënaqësinë dhe privilegjin ta vazhdojmë, ta zhvillojmë dhe t’i japim një dimension edhe më të madh. ‘Moisiu’ është një nga ngjarjet më të rëndësishme të skenës teatrore shqiptare, ku takohen artistët, krijimtaria, idetë dhe përvojat tona. Ai tashmë është një traditë që forcon partneritetin mes teatrove dhe dëshmon se bashkimi i skenave tona krijon një hapësirë shumë më të madhe sesa secila prej tyre veçmas. Rëndësia e këtij festivali qëndron jo vetëm te shfaqjet që prezantohen, por edhe te mundësia për ta njohur më mirë njëri-tjetrin, për të shkëmbyer përvoja dhe për ta ngritur së bashku nivelin e teatrit shqiptar. Një projekt i këtyre përmasave nuk mund të realizohet pa mbështetjen institucionale”, tha Ramadani.
Aktori Viktor Zhusti, në një prononcim për Portalb.mk, e cilësoi pjesëmarrjen në festivalin “Moisiu” si nder dhe përgjegjësi të madhe, duke veçuar mesazhin e dramës “Drejtësia e Nurembergut” dhe rolin e teatrit në ndërgjegjësimin e shoqërisë.
“Festivali ‘Moisiu’ bashkon trupa teatrore nga Prishtina dhe nga i gjithë Ballkani Perëndimor, si dhe regjisorë me emër në skenën teatrore. Fakti që ne e hapim me dramën ‘Drejtësia e Nurembergut’, me regji të Arben Kumbaros, është domethënës. Në Tiranë, kjo shfaqje është luajtur gjithmonë me sallën plot dhe është pritur me entuziazëm nga publiku. Është një vepër jashtëzakonisht e fuqishme, me një mesazh të rëndësishëm politik. Ajo flet për drejtësinë që duhej të vendosej, por edhe për atë drejtësi për të cilën ende nuk e dimë nëse është vendosur vërtet. Drejtësinë nuk e vendosim ne. Ne themi fjalën tonë dhe përpiqemi t’i ndërgjegjësojmë njerëzit që të mos bëjnë lëshime e kompromise, as me drejtësinë shoqërore, as me drejtësinë e tyre personale. Ky është edhe roli i teatrit. Ndryshimet konkrete kanë mekanizma të tjerë, por teatri ndikon përmes mendimit dhe emocioneve që ngjall. Gjithçka nis në ndërgjegjen e njeriut, aty ku lind vetëdija dhe vendosmëria për ta mbrojtur drejtësinë”, tha Zhusti.
Programi i festivalit vazhdon sonte me dy shfaqje. Në orën 18, në skenën e vogël të Teatrit Shqiptar, do të jepet “Amour” e Teatrit Bylis të Fierit, me regji të Besmir Bitrakut. Në orën 20, në skenën e madhe, Teatri “Bekim Fehmiu” i Prizrenit do të sjellë shfaqjen “Pylli”, me regji të Erson Zymberit.