Stevço Jakimovski më 2 korrik duhet të paraqitet në burgun e Shutkës, gjykata i lëshoi aktin për vuajtjen e dënimit

Ish-kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, më 2 korrik të këtij viti duhet të paraqitet në burgun e Shutkës për të vuajtur dënimin me burg prej një viti, njoftuan sot nga Gjykata Themelore Penale. Nga atje thonë se sot Jakimovskit i është lëshuar akti i dërgimit për vuajtjen e dënimit, transmeton Portalb.mk.

“Gjyqtari për ekzekutimin e sanksioneve në Gjykatën Penale të Shkupit, ndaj të dënuarit S. J. i ka lëshuar aktin e dërgimit për vuajtjen e dënimit me një vit burg dhe i njëjti është urdhëruar të paraqitet në burgun ‘Shkup’ më 2 korrik 2026”, informojnë nga Gjykata Penale.

Kjo vjen pasi Gjykata e Apelit e konfirmoi dënimin me një vit burg për Jakimovskin, në rastin e lidhur me ndërtimin e ndërtesës komunale në Karposh.

Në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak në periudhën nga 19 marsi deri më 15 gusht 2019.

Duke qenë se në dënim llogariten rreth pesë muaj të kaluar në arrest shtëpiak, Jakimovskit i mbeten për të vuajtur edhe rreth shtatë muaj burg në institucionin korrektues në Shuto Orizare.

Gjykata Themelore Penale në Shkup në prill të vitit të kaluar e kishte dënuar kryetarin e Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski, me tre vjet e gjysmë burg, në lidhje me ndërtimin e ndërtesës administrative të komunës.

Gjykata Penale e kishte shpallur Jakimovskin fajtor për dy veprandërtim pa leje dhe keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare. Për ndërtimin pa leje të objektit komunal, gjykata i kishte shqiptuar një vit burg, ndërsa për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve tre vjet burg.

Por Gjykata e Apelit e pranoi ankesën e Jakimovskit në pjesën që lidhet me akuzën për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, për çka kjo pjesë e rastit kthehet në rigjykim. Pjesa e anuluar e rastit, sipas Gjykatës Penale, do t’i caktohet një gjyqtari të ri, pasi ai që e ka trajtuar deri tani nuk është më i angazhuar në Departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion.

Pas vendimit të Apelit, Jakimovski në një konferencë për shtyp tha se është dënuar për arsye politike, për të mos u kandiduar në zgjedhjet e mundshme të përsëritura për kryetar të Komunës së Karposhit.

Ai tha se nga ky moment është pjesë e “klubit të personave të dënuar politikisht”.

Ai e lidhi vendimin me zhvillimet rreth kryetarit aktual të Karposhit, Sotir Lukrovski, i cili për një periudhë të gjatë është në pushim mjekësor, për shkak të së cilës ka emëruar një zëvendës nga radhët e këshilltarëve të komunës. Sipas ish-kryetarit, kjo është arsyeja e vërtetë e vendimit gjyqësor, ndërsa pretendimet e aktakuzës i cilësoi si pretekst për ndjekjen e tij.

Ai tha se aktualisht atij dhe mbrojtjes së tij nuk u mbetet gjë tjetër veçse të shpresojnë në instancën e fundit gjyqësore – Gjykatën Supreme.

Gjykatat e Apelit RMVStevço Jakimovski