Starlink rikthehet në normalitet në Ukrainë pas një jave kufizimesh në shpejtësi

Ukraina njoftoi të shtunën se sistemi satelitor Starlink dhe versioni i tij ushtarak, Starshield, po funksionojnë sërish me shpejtësi të lartë, pas më shumë se një jave kufizimesh që penguan operacionet ushtarake dhe shtuan tensionet me Shtetet e Bashkuara, raporton Reuters.

Problemet me sistemet e kompanisë SpaceX, në pronësi të Elon Musk, nisën pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një marrëveshje për blerjen e naftës nga Rusia, ndërsa i bëri presion Kievit që të ndalonte sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.

Zyrtarët ukrainas thanë se kufizimet vështirësuan aftësinë e ushtrisë për të interceptuar dronët rusë të sulmit dhe detyruan anulimin e disa operacioneve ushtarake.

“Sistemet e monitorimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës po regjistrojnë zyrtarisht rikthimin e shpejtësive të funksionimit të Starlink dhe Starshield”, njoftoi ministria përmes platformës Telegram.

“Lidhja mbetet e qëndrueshme, me shpejtësi që tejkalojnë 400 kilometra në orë”, thuhet në njoftim.

Ushtria ukrainase nuk i bën publike shpejtësitë maksimale me të cilat mund të funksionojnë këto sisteme, ndërsa Ministria e Mbrojtjes nuk sqaroi nëse shërbimi është rikthyer plotësisht. Gjatë periudhës së kufizimeve, Ukraina hasi probleme në përdorimin e sistemeve me shpejtësi mbi 160 kilometra në orë.

Ukraina nuk i përdor këto sisteme për operacionet me dronë me rreze të gjatë veprimi në territorin rus. Megjithatë, Starlink është thelbësor për komunikimet në vijën e frontit, ndërsa Starshield përdoret për operacione ushtarake në territoret e pushtuara.

Lufta në UkrainëUkraina