Dhjetëra mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Slavija” në Beograd, në tubimin përmbyllës të Listës Studentore, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, të caktuara për të dielën. Sipas vlerësimit të Arkivit të Tubimeve Publike, në tubim morën pjesë rreth 150.000 njerëz, transmeton “Deutsche Welle”.
Me flamuj serbë, këngë dhe mesazhe për ndryshime politike, pjesëmarrësit shprehën mbështetjen për lëvizjen studentore, e cila pas dy vitesh protestash dhe pakënaqësie ndaj pushtetit, në zgjedhje do të përballet drejtpërdrejt me Partinë Përparimtare Serbe (SNS).
“Dua që gjërat të lëvizin dhe të fillojnë të ndryshojne. Nuk mendoj se korrupsioni te ne mund të zhduket plotësisht, jam realiste. Por, të paktën, të mos jetë kështu siç është tani”, tha për “Deutsche Welle” një pjesëmarrëse në tubim. Ajo pretendoi se në kompaninë private ku punon, të punësuarit përballen me presion për të votuar për pushtetin dhe për të marrë pjesë në tubimet partiake.
Në Serbi rrallë publikohen anketa për dsiponimin e votuesve, ndërsa besimi në to është i kufizuar. Burime të “Deutsche Welle”-s, të njohura me hulumtimet, vlerësojnë se gara zgjedhore do të jetë e pasigurt. Në qarqet politike diskutohet edhe mundësia që rezultati zgjedhor të çojë në negociata të ndërlikuara pas zgjedhjeve.
Krahas pasigurisë për rezultatin, shqetësim ka edhe për rregullsinë e votimit. Në raport përmenden akuzat e kahershme për presion ndaj votuesve, blerje votash dhe mbajtje të evidencave paralele të votuesve. Lëvizja studentore ka paralajmëruar ekipe mobile që do ta monitorojnë gjendjen pranë vendvotimeve.
“Tani nuk ka kohë për frikë. Zgjedhjet mund të vidhen, por tani nuk ka kuptim të mendojmë për këtë. Jemi këtu dhe kaq”, tha njëra nga pjesëmarrëset.
Nga foltorja në sheshin “Slavija” u përcollën mesazhe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe rikthimin e besimit në institucione. Studentja e Fakultetit të Arteve Dramatike, Natalija Stefanoviq, tha se qytetarët e mbledhur janë njerëz që “nën presion janë bërë më të fortë, ndërsa në luftë janë pjekur”.
“Erë lirie”, tha profesori i Fakultetit të Komunikacionit, Aleksandar Çupiq.
Politologu Ivan Stanojeviq nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd vlerëson se lëvizja studentore ka arritur të zgjojë një pjesë të qytetarëve nga apatia politike dhe të rikthejë shpresën për ndryshime. Sipas tij, dalja e lartë në votime do të jetë një nga faktorët kyç të zgjedhjeve.
Gjatë fushatës, Lista Studentore u përqendrua te lufta kundër korrupsionit, funksionimi i institucioneve dhe sundimi i ligjit. Çështjet që lidhen me Bashkimin Evropian, Rusinë, Kosovën dhe Srebrenicën mbetën në plan të dytë, me qëllim që të ruhej mbështetja e votuesve me qëndrime të ndryshme politike.
Pasigurinë e shtuan edhe deklaratat e ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Në një rast, ai kishte paralajmëruar se do t’i uronte kundërshtarët nëse humbiste, por më pas, në një paraqitje në televizionin “Informer”, përcolli një mesazh tjetër.
“Dua që po atë mbrëmje të them gjithçka më të keqe për ta dhe po atë mbrëmje të nis luftën kundër tyre! Atëherë do ta shohin se çfarë janë bllokadat, bojkotet dhe gjëra të tjera të tilla”, deklaroi Vuçiq.
Në tubimin përmbyllës moren pjesë qytetarë nga pjesë të ndryshme të Serbisë, mes tyre edhe 75-vjeçari Vidoje Puriq nga Loznica, i cili shprehu bindjen se të rinjtë mund të sjellin ndryshime.
“Bota u mbetet të rinjve”, tha ai.
Tubimi në sheshin “Slavija” kaloi i qetë, ashtu si edhe tubimi i mëparshëm i SNS-së në Novi Beograd. Serbia hyri në heshtjen zgjedhore në një atmosferë tensionesh të larta politike, ndërsa votimi i së dielës pritet të jetë një test i rëndësishëm si për institucionet zgjedhore, ashtu edhe për stabilitetin politik të vendit.