Departamenti amerikan i Mbrojtjes i ka shpallur si kërcënim të sigurisë kombëtare Institutet Konfuci, njoftoi shefi i mbrojtjes amerikane, Pete Hegseth, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Këto janë qendra kulturore në kapuset universitare që financohen nga Kina. Institute të tilla, për të cilat Radio Evropa e Lirë ka raportuar në fillim të shkurtit të këtij viti, ka në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës, teksa bursat e shkëmbimet universitare shihen si një formë e butë ndikimi në Ballkan që Kina po drejton.
Uashingtoni për një kohë të gjatë ka akuzuar Institutet Konfuci se janë mjete të propagandës ruse dhe ka ndërmarrë hapa kundër tyre.
Sekretari Hegseth, në një video të publikuar në rrjetet sociale, tha se Institutet Konfuci operojnë në mënyrë të kamufluar në universitetet amerikane dhe se Pentagoni i ka futur ato në listën e institucioneve që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
“Rezulton se nga 80 celulat e reja të propagandës janë shfaqur në 30 universitete duke përdorur emra të ndryshëm dhe statuse të ndryshme, por me mision të njëjtë: për të vjedhur pronësinë intelektuale dhe për t’u infiltruar në mendjen e studentëve amerikanë”, tha Hegseth.
Sipas tij, Departamenti amerikan i Mbrojtjes në dy muajt e fundit “në mënyrë sistematike ka shpërbërë të gjitha këto organizata”.
Ambasada kineze në Uashington nuk ka komentuar menjëherë lidhur me këtë çështje.
Institutet Konfuci në gjithë Ballkanin Perëndimor, përveç Kosovës
Institute Konfuci ka kudo në Ballkanin Perëdimor, përveç Kosovës, pavarësinë e cilës Pekini nuk e njeh dhe për rrjedhojë nuk ka përfaqësim zyrtar në Prishtinë.
Radio Evropa e Lirë raportoi për ndikimin e këtyre instituteve në Ballkan në shkurt të këtij viti.
Serbia dallohet si partneri më i avancuar arsimor i Kinës në rajon, ku janë vendosur tri institute Konfuci që mbështesin mësimin e gjuhës kineze në dhjetëra shkolla. Këto institute gjenden në Serbi mbi dy dekada dhe numri i pjesëmarrësve në to është rritur disa dhjetëra herë çdo vit, teksa bashkëpunimi arsimor është forcuar edhe nga marrëveshje që Kina dhe Serbia kanë nënshkruar më 2018.
Institute Konfuci ka edhe në Shqipëri. Era Kërnaja, nga veriu i Shqipërisë, që tani studion në Kinë, i tha Radios Evropa e Lirë se kishte aplikuar “për qejf” në kursin e gjuhës kineze, pasi për të ishte një gjuhë e re.
“Doja t’ua ndryshoja mendimin që kanë shqiptarët për Kinën dhe t’ju tregoja që mos besoni në çdo gjë që shikoni”, deklaroi Kërnaja, e cila që nga viti 2023 ndan përvojën e saj në llogarinë e saj në TikTok.
Pekini ka investuar miliona dollarë në projekte infrastrukturore dhe partneritete teknologjike në Ballkan, por tani ka kthyer sytë nga arsimi, që e sheh si kanal më të butë për të formësuar perceptimet e të rinjve.
Kjo është veçanërisht e theksuar te brezat më të rinj, për të cilët sondazhet tregojnë se janë më të hapur ndaj portretizimit që Pekini i bën vetes si një fuqi e mirë dhe e përgjegjshme.
Instituti Konfuci në Shqipëri, ku Kërnaja mësoi gjuhën kineze dhe mori udhëzime për të aplikuar për bursën e saj, është një nga kanalet më të dukshme të shkëmbimit arsimor brenda Universitetit të Tiranës.
Ky institut e përshkruan veten si një “institut arsimor joqeveritar, jofitimprurës”, i bashkorganizuar me Universitetin e Studimeve të Huaja të Pekinit, që ofron mësime të gjuhës kineze dhe programe kulturore. Po ashtu ofron bursa dhe ndihmon studentët të aplikojnë në nivele të ndryshme, përfshirë në universitete individuale ose në nivel federal dhe kombëtar brenda Kinës.
Ndonëse nuk ka kurse zyrtare kineze në Kosovë, zyrtarët në Institutin Konfuci në Tiranë kanë deklaruar se kanë vërejtur interes në rritje nga studentët e Kosovës.
“Do të donim shumë të shihnim studentë nga Kosova që të mësojnë gjuhën kineze”, i tha Radios Evropa e Lirë, Zheng Baoguo, drejtori i Institutit Konfuci në Tiranë, duke shtuar se do të përpiqen që të krijojnë “mundësi për ta, nëse ata janë të gatshëm”.
Analistët thonë se programet arsimore shërbejnë për një qëllim afatgjatë: kultivimin e rrjeteve personale, narrativëve të favorshëm dhe profesionistëve të ardhshëm që kanë përvojë të drejtpërdrejtë nga Kina dhe janë të gatshëm ta ndajnë atë në vendet e tyre.
Kjo shtytje e fuqisë së butë, sipas tyre, është një plotësim i ndikimit politik dhe ekonomik në rritje i Kinës në Ballkan, dhe shërben për të shtyrë përpara interesat e Kinës.
“Pekini ka interes të dërgojë sa më shumë studentë dhe shkencëtarë ndërkombëtarë në Kinë”, i tha REL-it Stefan Vlladisavljev, ekspert për rolin e Pekinit në Ballkan pranë Fondacionit BFPE, një institut kërkimor me seli në Beograd.
“Ajo [Kina] po përpiqet të pozicionohet si një ofruese e zhvillimit [dhe] të qenit e pranishme në Evropë është një aspekt shumë i rëndësishëm i shtrirjes globale”, shtoi ai.
Institutet Konfuci janë në vëzhgim gjithnjë e më të madh në mbarë Evropën, teksa disa qeveri i kanë mbyllur ato për shkak të shqetësimeve lidhur me lirinë akademike dhe ndikimin politik.
Por, në pjesën më të madhe të Ballkanit, ato po shihen gjithnjë e më shumë nga të rinjtë si platforma të vlefshme fillestare për të ndjekur mundësi ekonomike dhe arsimore.