Sot dhe nesër afati i dytë për regjistrimit në Universitetin “Kirili dhe Metodi”

Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM) sot dhe nesër (17 dhe 18 shtator) po zhvillohet periudha e dytë e regjistrimit për studentët e rinj. Vende të lira mbeten në shumicën e fakulteteve, me përjashtim të Fakultetit të Arkitekturës dhe Fakultetit të Arteve Dramatike, transmeton Portalb.mk.

Në Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Edukimit Fizik, Sportit dhe Shëndetësisë, ka ende vende të lira vetëm për studentët me kohë të plotë me tarifa shkollimi dhe për studentët me kohë të pjesshme, por jo edhe për ata që financohen nga buxheti i shtetit. Më shumë vende të lira kanë mbetur në Fakultetin e Shkencave Matematike (845 gjithsej), pasuar nga Fakulteti i Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Teknologjive të Informacionit (FIETI), Fakulteti Filozofik dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.

Shuma e pjesëmarrjes në studime për studentët me kohë të plotë në kuotën shtetërore është e pandryshuar dhe mbetet 200 euro në vit. Ashtu si vitet e kaluara, studentët me kohë të plotë do t’i bashkëfinancojnë studimet dhe studentët me kohë të pjesshme do të paguajnë 400 euro në vit.

Rezultatet preliminare do të shpallen të premten, më 20 shtator, ndërsa lista përfundimtare me vendim për pranimin e kandidatëve pritet të mërkurën e ardhshme, më 25 shtator. Regjistrimi i kandidatëve të pranuar në periudhën e dytë të regjistrimit do të bëhet më 26 shtator.

Në UKM do të ketë edhe një afat të tretë të regjistrimit për ato fakultete ku ka ende vende të lira, dhe ai është më 27 shtator.

Ndryshe, gjashtë universitetet shtetërore tashmë kanë kuotat për numrin e studentëve që do të pranohen në vitin e parë gjatë vitit akademik 2024/25.

Ministria për Arsim dhe Shkencë publikoi numrin e studentëve për çdo drejtim, fakultet dhe universitet shtetëror, duke theksuar edhe çmimin e pagesës për vitin akademik.

Në universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup do të pranohen gjithsej 9 921 studentë të vitit të parë, në “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir do të pranohen 2 404 studentë, në Universitetin e Tetovës 4 752 studentë, në universitetin “Goce Dellçev” në Shtip do të pranohen 3 983 studentë, në “Shën Apostoll Pavle” në Ohër 364 studentë, ndërsa në universitetin “Nënë Tereza” në Shkup do të ketë 1 805 studentë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)StudentëUniversiteti "Shën Kirili dhe Metodi"