Sonte në Tetovë do të mbahet Festivali i Këngës së Vjetër Qytetare “Teuta”

Sonte, nga ora 19:00, në Qendrën e Kulturës në Tetovë do të mbahet edicioni i 15-të i Festivalit të Këngës së Vjetër Qytetare “Teuta”. Artistë dhe ansamble nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova do të sjellin në një skenë këngën, traditën dhe kujtesën e përbashkët kulturore, shkruan Portalb.mk.

Anita Aziri, pjesë e Korit të Grave “Teuta”, për Portalb.mk tha se organizimi i festivalit është njëkohësisht nder dhe përgjegjësi për korin.

“Për ne, si Kori i Grave ‘Teuta’, organizimi i Festivalit ‘Teuta’ është një nder dhe një përgjegjësi e veçantë. Ky festival është një mundësi e bukur për të ruajtur, promovuar dhe përcjellë te brezat e rinj këngën e vjetër qytetare shqiptare, e cila është pjesë e identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore. Publikut synojmë t’i ofrojmë një mbrëmje të mbushur me emocione, nostalgji dhe dashuri për këngën, duke rikthyer në kujtesë vlera të çmuara të muzikës sonë tradicionale”, tha Aziri.

Në program do të marrin pjesë lahutarja Lumturie Nonaj nga Shqipëria, Kori i Grave “Teuta” nga Tetova, artistë pranë Qendrës së Artit “Vaçe Zela” nga Lushnja, Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Qendra Kulturore “Haki Stërmilli” nga Peshkopia dhe Grupi “Rilindja” nga Gjakova.

Për Azirin, pjesëmarrja e artistëve nga treva të ndryshme shqiptare i jep festivalit një vlerë të veçantë.

“Kjo lidhje është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse kënga dhe tradita janë ura që na bashkojnë, pavarësisht kufijve. Pjesëmarrja e grupeve nga Gjakova, Lushnja, Peshkopia dhe trevat tona, së bashku me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqiptare nga RMV dhe lahutaren Lumturije Nonaj, e bën këtë festival një takim të bukur të kulturës dhe identitetit tonë kombëtar. Përmes këtij festivali, ne jo vetëm që shkëmbejmë vlera artistike, por edhe forcojmë lidhjet mes nesh dhe dëshmojmë se kënga shqiptare është një pasuri e përbashkët që duhet ruajtur dhe kultivuar me dashuri”, u shpreh ajo.

Festivali “Teuta” është kthyer në një aktivitet tradicional të jetës kulturore në Tetovë. Krahas mbrëmjes muzikore, organizatorët synojnë që kënga e vjetër qytetare të dëgjohet dhe të mësohet edhe nga brezat e rinj.

“Besoj se mënyra më e mirë për ta afruar këtë trashëgimi me brezat e rinj është që ata të rriten me këto këngë, t’i dëgjojnë, t’i mësojnë dhe t’i përjetojnë si pjesë të jetës së tyre. Përmes festivaleve, koncerteve, aktiviteteve shkollore dhe angazhimit të institucioneve kulturore, mund të krijojmë mundësi që të rinjtë të njihen më nga afër me bukurinë dhe vlerat e këngës së vjetër qytetare. Ne, si Kori i Grave ‘Teuta’, e shohim si misionin tonë që këtë pasuri ta ruajmë dhe ta përcjellim te brezat e ardhshëm, sepse një popull që ruan këngën e tij, ruan edhe kujtesën, shpirtin dhe identitetin e vet”, tha Aziri.

Festivali “Teuta”, tashmë një aktivitet tradicional i jetës kulturore në Tetovë, vazhdon të krijojë një hapësirë ku artistë, kore dhe ansamble takohen përmes muzikës dhe trashëgimisë së përbashkët.

Hyrja në festival është pa pagesë.

Festival muzikorKultura shqiptareKulturë lajmePallati i Kulturës Tetovë