Një 79-vjeçare nga Tetova ka rënë pre e një mashtrimi të rëndë financiar, pasi një person i panjohur e kontaktoi në telefon dhe iu prezantua si mjek. Duke përfituar nga paniku dhe shqetësimi, mashtruesi i tha se vajza e saj kishte shkaktuar një aksident të rëndë trafiku dhe i nevojitej urgjentisht një operacion. E frikësuar, gruaja dorëzoi një shumë të madhe parash duke i hedhur nga ballkoni, për të kuptuar më vonë se kishte qenë viktimë e një skeme të mirëorganizuar mashtrimi, njoftoi MPB, transmeton Portalb.mk.
“Më 21.08.2025 në orën 14:40 në Stacionin Policor të Tetovës, një banore 79-vjeçare e Tetovës raportoi se ishte mashtruar nga një person për shumën prej 16,000 euro dhe 10,700 franga zvicerane.
Sipas denoncimit, personi e kontaktoi atë në telefon, u prezantua si mjek dhe i tha se vajza e saj kishte shkaktuar aksident trafiku, në të cilin pësoi lëndime të rënda dhe se duhej të paguante për ndërhyrjen e nevojshme kirurgjikale. Siç raportohet, ajo i hodhi paratë nga një ballkon drejt personit, ndërsa më vonë zbuloi se ishte mashtruar.
Po merren masa për sqarimin e rastit”, thonë nga MPB.
Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut janë raportuar disa herë raste të ngjashme . Personat prezantohen si zyrtarë (p.sh., policë) dhe kërcënojnë që fëmijët e tyre janë akuzuar për aksidente serioze — në Kumanovë një grua pagoi deri në 30 000 euro para se të kuptonte se ishte mashtruar.
Pra, modeli i mashtrimit është thuajse identik: përdoren frika nga dënimi i afërmve për shkak të aksidenteve dhe kërcënimi i humbjes së tyre, ndërsa shumat e kërkuara janë të mëdha, dhe viktimat, zakonisht të moshuara, bien pre e mashtrimeve të tilla.