Situata me gastroenteritin në Gostivar ka filluar të stabilizohet, numri i kontrolleve është ulur për 41%

Për të tretën ditë me radhë vazhdon stabilizimi i situatës me gastroenteritin në Gostivar, numri i kontrolleve është ulur për 41%. Sipas të dhënave të institucioneve publike shëndetësore në Gostivar, gjatë ditës së djeshme (21.07.2026) ka vazhduar trendi i uljes së ndjeshme të numrit të pacientëve të rinj, përkatësisht personave që për herë të parë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të gastroenteritit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk.

Në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Ferid Murad” në Gostivar janë regjistruar 60 kontrolle të reja në repartin e sëmundjeve infektive, 37 kontrolle të reja në repartin e pediatrisë dhe 11 kontrolle në Qendrën Urgjente, ose gjithsej 108 kontrolle të reja. Në repartin e sëmundjeve infektive janë pranuar dy pacientë të rinj për trajtim spitalor, ndërsa në repartin e pediatrisë nuk ka pasur hospitalizime të reja.

Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 87 kontrolle në shërbimin kujdestar dhe 17 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.

Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, gjatë ditës së djeshme janë regjistruar tre kontrolle të reja të pacientëve nga rajoni i Gostivarit, prej të cilëve një pacient është hospitalizuar.

“Gjatë ditës së djeshme vazhdoi trendi i qëndrueshëm i stabilizimit të situatës. Krahasuar me datën 20.07.2026, kur në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit u regjistruan 183 kontrolle, dje janë evidentuar gjithsej 108 kontrolle, që paraqet një ulje prej rreth 41 përqind. Njëkohësisht, numri i kontrolleve në Shtëpinë e Shëndetit është ulur nga 110 në 87 pacientë, ose për rreth 21 përqind, gjë që konfirmon më tej prirjen pozitive të zhvillimeve”, sqaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Ndryshe, në Gostivar është shpallur epidemi të problemeve gastrointestinale, pas paraqitjes së numrit të lartë të i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim.

Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.

Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.

Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.

EpidemiGostivariMinistria e Shëndetësisë (MSH)Sasho KlekovskiUjësjellësiUji - ujë