Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, sot në Sofje zhvilloi takim dypalësh me homologen e saj bullgare, Iliana Yotova. Takimi u mbajt në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili po organizohet nga presidentja bullgare. Davkova, vuri në dukje nevojën për ringjalljen e frymës së bashkëpunimit rajonal dhe kthimin te parimet mbi të cilat ky proces u themelua para tre dekadash., transmeton Portalb.mk.
Sipas saj, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të bazohet në Kriteret e Kopenhagës, ndërsa përparimi në zbatimin e reformave duhet të diktojë ritmin e procesit të anëtarësimit.
Duke iu referuar fjalëve të autorit bullgar Georgi Gospodinov se “kur dyert e së ardhmes mbyllen, e kaluara bëhet atdheu i vetëm”, ajo paralajmëroi për nevojën e deballkanizimit përmes evropianizimit.
“Për të, integrimi evropian është një domosdoshmëri natyrore, si dhe një domosdoshmëri gjeopolitike dhe e sigurisë, ndërsa një Ballkan i qëndrueshëm, i begatë dhe evropian është në interes të të gjitha shteteve të rajonit, por edhe të Evropës”, thonë nga presidenca.
Siljanovska-Davkova bëri thirrje për përgjegjësi rajonale, si garanci për ecjen drejt një të ardhmeje të përbashkët të parashikueshme dhe të sigurt, duke theksuar se suksesi i çdo shteti duhet të përjetohet si sukses i të gjithë rajonit, ndërsa konkurrenca duhet të zhvillohet në dije, inovacione, kulturë dhe zhvillim ekonomik, e jo në bllokada dhe ndarje.
Takimi vjen në një kohë trazirash politike në lidhje me integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të rajonit, pasi Samiti BE-Ballkani Perëndimor më pak se një javë më parë diskutoi një dokument non-paper nga Franca dhe Gjermania që parashikon integrimin gradual të vendeve të Ballkanit në Union.
Megjithatë, mesazhet që vijnë vazhdimisht në Shkup nga Sofja dhe Brukseli janë gjithashtu publike – nevojiten ndryshime kushtetuese për të hapur kapitujt e negociatave, ndërsa qeveria e Maqedonisë këmbëngul se duhet të marrë garanci se nuk do të ketë kushte dhe bllokada të reja nga pala bullgare.
Përpara takimit, Siljanovska-Davkova, në një intervistë për emisionin “360 Gradë“, tha se pret që të ngrihen çështje thelbësore sepse nuk ka problem të pazgjidhshëm.
“Ky është një vazhdim i natyrshëm i takimit tonë në Jerevan, një bisedë e këndshme për gratë. Mendoj se duhet ta vazhdojmë këtë dhe për këtë arsye përmend domosdoshmërinë e masave të ndërtimit të besimit”, tha presidentja.
Megjithatë, kryeministri Hristijan Mickoski nuk e di se çfarë do të diskutohet në takimet në Sofje, ku Siljanovska-Davkova do të shoqërohet nga ministri i Jashtëm Timço Mucunski. Ai tha se si qeveri kanë një plan dhe strategji mbi të cilën po punojnë.
“Si person, pres që ne të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët tanë. Si kryeministër, do të bëj gjithçka që është në fuqinë tonë, së pari, për të mbrojtur interesat e qytetarëve, për të mbrojtur identitetin dhe interesat e shtetit. Dhe, së dyti, sigurisht, për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët tanë bazuar në parimin e një rruge me dy drejtime. Sepse për çdo punë në jetë, ju nevojiten të paktën dy persona”, tha Mickoski më 9 qershor, duke shtuar se ata nuk do të premtojnë mrekulli.
Bullgaria u bë me qeveri të re në fillim të majit, të udhëhequr nga Rumen Radev, i cili më parë ishte president i vendit. Në Samitin BE-Ballkani Perëndimor javën e kaluar, ai tha se Maqedonia e Veriut duhet vetëm të përfshijë bullgarët në Kushtetutë për të filluar negociatat.
Marrëdhëniet midis dy vendeve u ftohën në vitin 2020, kur Sofja vuri veton në kornizën negociuese për vendin për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.
Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis – Maqedonia e Veriut pranoi të shtonte komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës, përveç atyre ekzistuese, ndërsa nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, me Bullgarinë që lëshoi një deklaratë duke shprehur qëndrimin e saj për këtë çështje.
Me një kompromis të tillë, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të pranimit. Që të mbahet e dyta dhe që të fillojnë hapjet e kapitujve, parlamenti i Maqedonisë duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese. Qeveria aktuale në Shkup, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, e cila u formua në qershor 2024, është e mendimit se nuk do të hyjë në një proces të tillë derisa të marrë garanci se nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe nga pala bullgare.
Paraprakisht në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan një Marrëveshje për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.