Është koha për një hap strategjik të Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor. Pas një procesi të gjatë, madje edhe maratonik të eurointegrimeve, gjeografia, historia dhe kultura e përbashkët duhet të përmbyllen me hapjen e dyerve për anëtarësim të shteteve të Ballkanit, tha presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në Forumin Ballkanik për Integrime 2025, në Mal të Zi, transmeton Portalb.mk.
Ajo theksoi se procesi i anëtarësimit duhet të jetë kredibil dhe të bazohet vetëm në kriteret e Kopenhagës, ndërsa Unioni duhet t’i mbrojë parimet dhe vlerat e veta.
Sipas saj, anëtarësimi në BE është mënyra më e mirë për t’i bërë vendet e rajonit më rezistente ndaj qendrave të treta të fuqisë.
Siljanovska-Davkova nënvizoi se në nivel rajonal e tejkalojmë mesataren e përputhshmërisë me legjislacionin evropian në të gjashtë klasterët, jemi 100% të harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe e meritojmë të inkurajohemi dhe të marrim shansin për fillimin e negociatave.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.