Një nga veprimet e para në mandatin e dytë të Donald Trumpit ishte një përpjekje për të ripërcaktuar Amendamentin e 14-të të Kushtetutës së SHBA-së. Mes një sërë urdhrash ekzekutivë, Presidenti amerikan bëri edhe thirrje për t’i dhënë fund konceptit të shtetësisë së lindur, e cila ka ekziston në SHBA që nga viti 1868, transmeton Dojçe Vele (DW).
Por dëshira e tij u refuzua të martën. Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi kundër vendimit të qeverisë. “Është një nga deklaratat më të qarta se kush jemi si vend”, tha Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU) në një deklaratë. “Pavarësisht se kush janë prindërit tuaj, nëse lindni këtu, ju i përkisni këtij vendi”.
Trump e kishte quajtur politikën ekzistuese “një turp”. Ndërsa Zëvendëspresidenti i tij JD Vance që e kishte përshkruar më parë atë si “politika më budallaqe e imigracionitnë botë”.
Urdhri ekzekutiv i Trumpit kishte kaluar nëpër një numër kthesash ligjore në gjykata të ndryshme, përfshirë edhe Gjykatën Supreme. Megjithëse vendimi i së martës do të thotë se statusi ligjor nuk ndryshon, ai do të lërë gjurmë, thotë Kim Lane Scheppele.
“Fakti që çështja është tani e hapur në një mënyrë që nuk ka qenë kurrë e ka bërë shtetësinë më të pasigurt, përfshirë edhe për ata që kanë jetuar gjithë jetën e tyre në SHBA”, tha profesori i Sociologjisë dhe Çështjeve Ndërkombëtare në Princeton, ekspert i sociologjisë dhe ligjit, për DW pak para se të shpallej vendimi.
“Mos harroni se shtetësia është nën sulm në shumë mënyra. Administrata e tij ka hapur një zyrë denatyralizimi brenda Departamentit të Drejtësisë dhe po bëjnë presion për të kërkuar prova të shtetësisë. Dhe pak prej nesh kanë prova të tilla.”
Cili është ligji aktual?
Amendamenti i 14-të thotë se: “Të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në Shtetet e Bashkuara dhe që i nënshtrohen juridiksionit, janë qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe të shtetit ku banojnë”.
Kjo është interpretuar vazhdimisht nga gjykatat dhe qeveritë, se fëmijët e lindur në SHBA, pavarësisht statusit të prindërve të tyre, bëhen qytetarë amerikanë automatikisht. Ka disa përjashtime specifike nga ligji i përgjithshëm, duke përfshirë fëmijët e lindur nga diplomatë të huaj ose forca pushtuese armike.
Sa njerëz do të prekeshin nga ndryshimet?
Grupi i ekspertëve të Institutit të Politikave të Migracionit vlerëson se 255,000 fëmijë lindin në SHBA çdo vit nga prindër jo-shtetas të këtij vendi. Ndryshimi nuk mund të veprojë në mënyrë retroaktive, që do të thotë se kushdo që më parë kualifikohej për shtetësi, sipas të drejtës së lindjes, do të mbetej i paprekur. Sipas një hulumtimi nga Qendra Kërkimore Pew, kjo shifër është deri në 4.4 milionë amerikanë vetëm midis 2006 deri 2023, megjithëse disa janë larguar nga vendi ose kanë vdekur.
Një numër amerikanësh të shquar iu dha shtetësia amerikane sipas lindjes, pavarësisht se prindërit e tyre nuk ishin shtetas amerikanë në atë kohë. Ndër ta janë edhe shumë anëtarë të rrethit të ngushtë të Trumpit. Kjo përfshin edhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, Drejtorin e FBI-së Kash Patel dhe Zonjën e Dytë, Usha Vance.
Çfarë ndikimesh mund të ketë ndryshimi?
Ndërsa Gjykata tani ka vendosur se nuk do të hyjnë në fuqi ndryshime në shtetësinë e bazuar në lindje, ndryshimet e propozuara të administratës Trump, nëse zbatohen, do të kishin ndryshuar ndjeshëm mënyrën se si përcaktohet shtetësia në lindje.
Është e vështirë të dihet me saktësi, por administrata Trump thotë se, me lindjen e një fëmije, statusi i prindërve të tij do të vlerësohej për të përcaktuar nëse fëmija është i kualifikuar për shtetësi dhe dokumentacionin tjetër që e shoqëron këtë status. Vetëm një certifikatë lindjeje nuk do të ishte e mjaftueshme për të marrë një pasaportë ose numër sigurimi.
Çfarë do të ndodhte me shtetësinë e fëmijës do të varej kryesisht nga vendi nga janë prindërit e tij. Disa vende nuk japin automatikisht shtetësi të lindur nga shtetasit e tyre jashtë vendit, veçanërisht në Azinë Juglindore. Në një rast të tillë, duket se fëmija do të ishte pa shtetësi.
“Diçka e rëndësishme për t’u kuptuar në lidhje me SHBA-në është se ne nuk kemi një mënyrë të gatshme për të vërtetuar shtetësinë, pikërisht sepse shumica prej nesh mbështeten në shtetësinë e bazuar në lindje”, tha Scheppele.
“Pra, gratë që sapo kanë lindur – e lëre më baballarët e foshnjave – nuk do të kenë mënyra të gatshme për të vërtetuar shtetësinë e tyre. Imagjinoni nëse shtetësia dhe statusi i imigracionit të të gjithë prindërve të rinj do të duhej të regjistroheshin për çdo lindje në vend. Do të kishte një kaos administrativ.”
Si funksionon shtetësia e lindjes në vende të tjera?
Trump shpesh ka pretenduar në mënyrë të rreme se SHBA-të janë “i vetmi vend që e ka atë”. Në fakt, të dhënat e mbledhura nga Qendra Kërkimore Pew tregojnë se 32 vende të tjera, kryesisht në Amerikën e Veriut dhe Amerikën Latine, ofrojnë shtetësi sipas vendit të lindjes.
Shumë vende, duke përfshirë Greqinë, Iranin, Francëndhe Marokun, ia ofrojnë atë çdo fëmije, prindërit e të cilit kanë lindur diku tjetër. Të tjera, si Australia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, i japin shtetësi çdo fëmije të lindur nga një banor i ligjshëm i atij vendi. Ndërsa vende si Izraeli, Haiti dhe Liberia ofrojnë shtetësi sipas lindjes vetëm për ata që plotësojnë kushte të caktuara.
Çfarë mund të thotë kjo për Trumpin politikisht?
Trump e ka përshkruar më parë shtetësinë sipas lindjes si “magnet për imigracionin e paligjshëm”. Dështimi i tij për të zbatuar një nga politikat e tij kryesore të imigracionit përmes gjykatave padyshim do të ketë pasoja.
Aftësia për të imponuar politika të ashpra të imigracionit si kjo është çelësi për të përmbushur premtimet e tij. Trump ka bërë shumë për deportimin masiv të “të huajve të paligjshëm”, duke kufizuar edhe ardhjen e refugjatëve dhe suksesin e agjencisë së tij të Imigracionit dhe Doganave (ICE).
Ndërsa dështimi do të jetë frustrues për të dhe administratën e tij. Ai nuk do të heqë dorë nga strategjia e tij “Amerika e Para”. Megjithatë, ndërsa një fitore mund të kishte hapur derën për një politikë edhe më ekstreme ndaj atyre që janë tashmë shtetas amerikanë, vendimi i së martës do ta pengojë ate në këtë rrugë, të paktën për momentin.