Drejtorja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, po hetohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Masa e shpallur me vendim të Gjykatës së Posaçme, pas kërkesës së SPAK, nuk është ekzekutuar ende, pasi Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, në një vizitë pune, kur u mor vendimi, transmeton Dojçe Vele (DW).
Specialisti i sigurisë Xhavit Shala, thotë për DW se një zhvillim i tillë mund të reflektohet në marrëdhëniet e SHISH-it me shërbimet partnere, megjithëse nuk e sheh atë si cënim të sistemit të sigurisë kombëtare. Hetimet për dosjen e AKSHI-t Masa ndaj Vlora Hysenit vjen në kuadër të hetimeve të SPAK për çështjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), një dosje që lidhet me dyshime për abuzime me tenderët publikë dhe korrupsion. Hyseni dyshohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të të dhënave sekrete”.
Vendosen masa sigurie
“Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ‘Arrest në shtëpi’ dhe ‘Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ ndaj shtetases V.H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror” – thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Në të njëjtën dosje, masa sigurie janë vendosur edhe ndaj personave të tjerë. Fatjon Kalluçi, përgjegjës sektori në Institutin e Policisë Shkencore, është vendosur në “arrest në burg” dhe hetohet për “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Në “arrest në burg” është vendosur edhe Embro Sulejmani, i cili hetohet për “përkrahje të autorit të krimit”.
Hetimi ka përfshirë edhe ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Gjykata e Posaçme autorizoi kontrollin personal dhe të banesës së tij, ndërsa pas kontrollit Proda u shoqërua në SPAK, ku u pyet për rreth tri orë.
Rama shkarkon Hysenin, Berisha kërkon arrestimin
Nga Nju Jorku, ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Edi Rama njoftoi largimin e menjëhershëm të Vlora Hysenit nga drejtimi i SHISH-it. Ai tha se pret që dyshimet e ngritura nga SPAK të hetohen dhe të zbardhen deri në fund përmes procesit gjyqësor.
“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”- shkruan Rama.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Vlora Hyseni kishte shkelur betimin dhe ligjin në ushtrimin e detyrës si drejtuese e SHISH-it. “Kjo është hera e parë që dëgjoni, se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit. Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky” – tha Berisha, teksa kërkoi nga SPAK të lëshojë një mandat arresti ndërkombëtar për Vlora Hysenin.
A cënohet siguria kombëtare?
Për ekspertin e sigurisë Xhavit Shala, vendosja nën masë sigurie e drejtueses së SHISH-it nuk është një zhvillim normal për një institucion të këtij niveli dhe mund të hedhë hije dyshimi mbi bashkëpunimin e Shqipërisë me shërbimet partnere. Në një intervistë për DW, Shala e lidh çështjen me veprimet dhe raportet individuale të Hysenit dhe jo me informacione të natyrës së sigurisë kombëtare. “Nuk mendoj se ka pasur informacione të natyrës kombëtare” – thotë ai.
Shqetësimi, sipas Shalës, lidhet më shumë me reagimin e shërbimeve partnere ndaj një zhvillimi të tillë. Pikërisht për shkak të funksionit që Hyseni mbante, eksperti mendon se rasti mund të ishte administruar ndryshe, pa dalë nga kuadri ligjor. “Asaj mund t’i kërkohej dorëheqja paraprakisht, të shkarkohej nga kryeministri dhe më pas të kryheshin veprimet procedurale” – shprehet Shala për DW. Sipas tij, kjo do të kishte ndihmuar edhe në ruajtjen e reputacionit të Shqipërisë.
Megjithatë eksperti vlerëson faktin që drejtësia “nuk ka më frikë të godasë në majat e institucioneve”, përfshirë edhe shërbimin sekret.
Vlora Hyseni ka punuar në strukturat e inteligjencës së Kosovës, aty ku ka shërbyer edhe si zëvendësdrejtore e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, deri në largimin e saj në vitin 2021.
Në vitin 2023 ajo u propozua nga kryeministri Edi Rama për drejtimin e SHISH-it dhe u dekretua në këtë detyrë nga Presidenti Bajram Begaj më 3 prill po të atij viti.