Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) publikoi sot të dhënat për shportën minimale sindikale për muajin tetor, ndërsa shifrat tregojnë se ajo është gati 1.000 denarë më e shtrenjtë krahasuar me muajin paraprak, shtatorin, transmeton Portalb.mk.
Vlera e shportës minimale sindikale, të cilën e llogarit LSM-ja, për tetorin e vitit 2026 është 70.358 denarë. Kjo do të thotë se një familjeje katër anëtarëshe gjatë këtij muaji i janë nevojitur gati 71.000 denarë për të mbuluar shpenzimet bazë të jetesës – ushqimin dhe pijet, veshmbathjen, qiranë, shpenzimet komunale, higjienën personale, shëndetësinë, transportin, komunikimet, rekreacionin dhe kulturën, arsimin etj.
Sipas LSM-së, kjo do të thotë se shporta minimale sindikale është shtrenjtuar për 926 denarë krahasuar me shtatorin, kur arrinte në 69.432 denarë. Njëkohësisht, ajo është gati 4.000 denarë më e shtrenjtë krahasuar me vlerën e llogaritur në fillim të këtij viti.
Sa u përket kategorive të shpenzimeve, pjesën më të madhe të të ardhurave një familje katër anëtarëshe duhet ta ndajë për ushqim dhe pije. Këto shpenzime përbëjnë 37 përqind të vlerës së përgjithshme të shportës minimale sindikale për tetorin, përkatësisht 26.170 denarë.
Sipas përllogaritjes së LSM-së, vetëm për ushqim dhe pije, një familjeje mesatare gjatë këtij muaji i janë nevojitur 124 denarë më shumë se një pagë minimale, e cila aktualisht është 26.046 denarë.
“Me fjalë të tjera, një pagë minimale tashmë nuk mjafton as për të blerë ushqimin dhe pijet e nevojshme për një familje katër anëtarëshe gjatë një muaji. Po faturat e energjisë elektrike, ujit, ngrohjes, transportit, veshmbathjes, barnave dhe të gjitha shpenzimet e tjera të domosdoshme?”, thonë nga LSM-ja.
Sa u përket kategorive të tjera, pas ushqimit dhe pijeve vijnë shpenzimet për arsim, për të cilat një familje mesatare me katër anëtarë ndan 7.192 denarë, që përbëjnë 10,9 përqind të vlerës së përgjithshme të shportës minimale sindikale.
Më pas vijnë shpenzimet për veshmbathje dhe këpucë (6.749 denarë), qira, ujë, energji elektrike dhe ngrohje (6.379 denarë), rekreacion dhe kulturë (5.592 denarë), transport (5.468 denarë), ndërsa për higjienën personale dhe higjienën në shtëpi nevojiten 2.699 denarë. Për shëndetësi nevojiten 1.201 denarë, për komunikime, përfshirë internetin dhe telefoninë, 3.677 denarë, ndërsa për restorante dhe hotele 4.131 denarë. Për mallra dhe shërbime të tjera në shportën sindikale janë llogaritur 1.100 denarë.
Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, ajo që e bën edhe më alarmante gjendjen me vlerën e shportës minimale të konsumit është krahasimi i vlerës së saj në tetor me atë të janarit të këtij viti.
Në janar të vitit 2026, shporta minimale sindikale arrinte në 66.413 denarë, prej të cilave 24.211 denarë nevojiteshin për ushqim dhe pije. Në tetor, krahasuar me janarin, vlera e shportës është rritur për 3.945 denarë.
Nga LSM-ja thonë se një pagë mesatare dhe një pagë minimale mezi mjaftojnë për të mbuluar vlerën e shportës minimale sindikale. Kjo do të thotë se edhe kur në një familje janë të punësuar dy persona, njëri me pagë mesatare dhe tjetri me pagë minimale, pothuajse të gjitha të ardhurat e tyre të përbashkëta shkojnë për mbulimin e nevojave bazë mujore.