Mbi 45 nga gjithsej 112 shtylla të markacionit dimëror në shtegun Popova Shapka – Tito Vërvi janë shkatërruar, dëmtuar ose hequr. Rasti është denoncuar në polici, ndërsa dëmi financiar vlerësohet në të paktën 8 mijë euro. Markacioni ishte vendosur në kuadër të projektit “Slavkov – Markacioni i shtigjeve malore në Maqedoninë e Veriut”, me mbështetje të ambasadave të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë, si dhe të kompanisë “Skopska Pivara”. Në realizimin e projektit kanë marrë pjesë më shumë se 25 vullnetarë dhe biznese lokale nga Tetova dhe Bogovina, transmeton Portalb.mk.
Nga Shoqata për Zhvillim të Qëndrueshëm SAT – Shkup theksojnë se dëmi nuk është vetëm financiar, pasi shkatërrimi i markacionit mund të rrezikojë drejtpërdrejt sigurinë e alpinistëve, veçanërisht gjatë dimrit.
Në kushte me borë, mjegull, erë të fortë dhe shikueshmëri të dobët, shtyllat dimërore shërbejnë si pika të rëndësishme orientimi, pasi markacioni veror mund të mbulohet nga bora ose të mos jetë i dukshëm.
Sipas organizatorëve, shkatërrimi i infrastrukturës malore dëmton gjithashtu zhvillimin e turizmit malor dhe aktiv në Malin Sharr, si dhe përpjekjet për ta bërë zonën më të sigurt dhe më tërheqëse për vizitorët.
Më 19 gusht, një ekip i policisë, në prani të përfaqësuesve të Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, ka kryer këqyrje në terren dhe ka dokumentuar lokacionet ku janë konstatuar dëmtimet dhe heqja e pajisjeve.
Nga SAT presin që institucionet kompetente të zbardhin rastin dhe të përcaktojnë përgjegjësinë e personave që kanë dëmtuar ose hequr markacionin.
Ata u bëjnë thirrje vizitorëve që të mos dëmtojnë infrastrukturën malore dhe çdo rast të dëmtimit ose heqjes së shenjave ta raportojnë te institucionet kompetente.
“Markacioni malor nuk është vetëm një shtyllë apo shenjë. Në kushte me borë, mjegull dhe stuhi, ai mund të bëjë dallimin mes kthimit të sigurt dhe humbjes në mal”, theksojnë nga Shoqata për Zhvillim të Qëndrueshëm SAT – Shkup.