Informacionet publike nxirren me “kanxhë” në RMV: Agjencia mori 107 vendime për t’i detyruar institucionet të japin të dhëna

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të përballen me vështirësi për të marrë informacione me karakter publik nga institucionet. Vetëm gjatë vitit 2025, Agjencia për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik ka marrë 107 vendime meritore me të cilat institucionet janë detyruar të japin informacionet e kërkuara, pasi nuk kishin vepruar edhe pas vendimeve të mëparshme të Agjencisë, thuhet në raportin vjetor të Agjencisë. Në total, gjatë vitit 2025 janë formuar 626 lëndë, ndërsa Agjencia, duke vendosur për ankesat e pranuara gjatë periudhës raportuese, ka marrë gjithsej 789 vendime, raporton Portalb.mk.

Nga 789 vendimet, 107 janë vendime meritore të Agjencisë, të miratuara për shkak të mosveprimit të poseduesve të informacionit pas vendimeve fillestare përfundimtare, përkatësisht pas ankesave të dyta ose të treta të paraqitura nga kërkuesit e informacionit.

Bëhet fjalë për raste në të cilat qytetarët apo kërkuesit e tjerë të informacionit kanë shprehur pakënaqësi për mosveprimin ose veprimin e institucioneve edhe pasi Agjencia kishte vendosur që ato duhet t’i japin informacionet e kërkuara.

“Më konkretisht, shifrat e paraqitura përfaqësojnë numrin e përgjithshëm të vendimeve që rezultojnë nga veprimtaria e Agjencisë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik dhe Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, sipas të cilëve, përveç vendimeve fillestare me të cilat urdhërohen organet e shkallës së parë të veprojnë në përputhje me Ligjin për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik, lëndët mund të ktheheshin edhe për rishqyrtim. Por, për shkak të mosveprimit pas vendimit përfundimtar të Agjencisë dhe pas paraqitjes së ankesave të reja kundër poseduesve të tillë të informacionit, merreshin edhe vendime meritore”, thuhet në raport.

Të dhënat tregojnë se problemi nuk kufizohet vetëm te refuzimi formal i kërkesave. Në pjesën më të madhe të rasteve, pengesa ka qenë mosdhënia e përgjigjes brenda afateve ligjore.

Sipas Agjencisë, 438 ankesa, përkatësisht 69,96 përqind e të gjitha ankesave të paraqitura, kanë qenë për shkak të heshtjes së administratës.137 raste, ose 21,8 përqind, qytetarët kanë ankimuar vendimet e poseduesve të informacionit, ndërsa 51 ankesa, ose 8,1 përqind, janë paraqitur kundër përgjigjeve apo njoftimeve të institucioneve.

Kjo e bën “heshtjen e administratës” problemin dominues në fushën e qasjes në informacionet publike gjatë vitit 2025.

Shumica e ankesave për heshtjen e institucioneve

Agjencia konstaton se gjatë vitit raportues është rritur numri i ankesave, por njëkohësisht është rritur edhe pesha e rasteve në të cilat institucionet nuk kanë vepruar ndaj kërkesave për informacion brenda afateve të përcaktuara me ligj.

Në raport theksohet se, pavarësisht trajnimeve të zhvilluara për zyrtarët përgjegjës te poseduesit e informacionit, numri i ankesave për shkak të mosveprimit është rritur.

“Poseduesit e informacionit, si organe të shkallës së parë, më së shpeshti vepronin në përputhje me vendimin meritor të marrë nga Agjencia. Poseduesit që nuk vepronin sipas vendimeve të Agjencisë kërkonin mbrojtje juridike para Gjykatës Administrative, duke paraqitur padi me të cilat kërkohej anulimi i vendimeve të Agjencisë. Megjithatë, vendimet e Gjykatës Administrative treguan se ato pothuajse plotësisht përkonin me vendimet e marra nga Agjencia.

Nga ana tjetër, duke ushtruar edhe një nga kompetencat e saj ligjore, Agjencia ka iniciuar procedura kundërvajtëse ndaj zyrtarëve që nuk kanë vepruar sipas vendimeve të saj, me iniciativë të kërkuesve të informacionit – ankuesve, ose sipas detyrës zyrtare”, thuhet në raport.

Nga komunikimi me zyrtarët dhe drejtuesit e institucioneve, Agjencia konkludon se gatishmëria për transparencë ndaj publikut është ulur, kryesisht për shkak të qëndrimeve inerte të strukturave drejtuese në institucionet shtetërore, veçanërisht në nivel lokal.

Pikërisht për këtë arsye, Agjencia vlerëson se nevojiten trajnime shtesë, punëtori, tryeza të rrumbullakëta dhe aktivitete të tjera për drejtuesit e institucioneve dhe zyrtarët përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik.

“Nga komunikimi me zyrtarët dhe drejtuesit te poseduesit e informacionit mund të konkludohet se gatishmëria për transparencë ndaj publikut është ulur, kryesisht për shkak të qëndrimeve inerte të strukturave drejtuese në institucionet shtetërore, veçanërisht në nivel lokal. Kjo konfirmon nevojën për organizimin e trajnimeve shtesë, punëtorive, tryezave të rrumbullakëta dhe prezantimeve të ngjashme të Ligjit për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik për drejtuesit e poseduesve të informacionit”, thuhet në raport.

Agjencia për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. Foto nga Meta.mk

789 vendime për 626 lëndë

Statistikat e Agjencisë tregojnë se vendimet e marra gjatë vitit 2025 kanë pasur rezultate të ndryshme.

Përveç 107 vendimeve me të cilat poseduesit janë detyruar drejtpërdrejt ta japin informacionin e kërkuar, Agjencia ka marrë edhe:

  • 264 vendime me të cilat ankesa pranohet dhe poseduesi i informacionit urdhërohet të veprojë sipas kërkesës së kërkuesit, në përputhje me Ligjin për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik;
  • 83 vendime me të cilat ankesa refuzohet si e pabazuar;
  • 67 vendime me të cilat ankesa hidhet poshtë si e paraqitur me vonesë ose si e palejueshme;
  • 156 vendime me të cilat ankesa pranohet dhe lënda kthehet për rishqyrtim dhe vendimmarrje të sërishme pranë organit të shkallës së parë;
  • 112 vendime me të cilat procedura pas ankesës ndërpritet për shkak të tërheqjes së saj nga kërkuesi ose për shkak se kërkuesi e ka marrë përgjigjen nga poseduesi i informacionit gjatë procedurës së shkallës së dytë.

Këto shifra përfaqësojnë veprimtarinë e Agjencisë në procedurat administrative në përputhje me Ligjin për Qasje të Lirë në Informacione me Karakter Publik dhe Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Në rastet kur institucionet nuk kanë vepruar pas vendimeve përfundimtare të Agjencisë dhe kërkuesit kanë paraqitur ankesa të reja, Agjencia ka marrë edhe vendime meritore përmes të cilave institucionet janë detyruar ta japin informacionin.

Komunat dhe institucionet qendrore në fokus të ankesave

Ankesat e qytetarëve dhe kërkuesve të informacionit gjatë vitit 2025 janë drejtuar ndaj një numri të madh institucionesh.

Më së shumti ankesa janë paraqitur kundër 280 institucioneve shtetërore në nivel qendror.

Pas tyre vijnë 228 komuna, ndërsa ankesat e tjera janë paraqitur kundër 35 ndërmarrjeve publike dhe institucioneve publike, 20 organeve të pushtetit gjyqësor, 13 personave juridikë dhe fizikë që ushtrojnë autorizime publike, 30 institucioneve arsimore, 10 institucioneve shëndetësore dhe 2 partive politike.

Kjo tregon se kërkesat për qasje në informacion nuk janë kufizuar në një sektor të vetëm, por kanë përfshirë administratën qendrore dhe lokale, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, ndërmarrjet publike dhe subjektet e tjera që kanë detyrim ligjor për të ofruar informacion me karakter publik.

Institucionet që nuk binden përballen edhe me gjykatat

Kur poseduesit e informacionit nuk janë pajtuar me vendimet e Agjencisë, ata kanë kërkuar mbrojtje juridike para Gjykatës Administrative, duke paraqitur padi me kërkesë për anulimin e vendimeve të Agjencisë.

“E veçanta për këtë vit raportues është rritja e numrit të ankesave, por edhe fakti se fenomeni i heshtjes së administratës është shumë aktual. Është evidente se, pavarësisht trajnimeve të zhvilluara për zyrtarët te poseduesit e informacionit, është rritur përqindja e ankesave të paraqitura për shkak të mosveprimit të poseduesve të informacionit ndaj kërkesave brenda afateve të përcaktuara me ligj, përkatësisht ankesat janë paraqitur për shkak të heshtjes së organit të shkallës së parë”, thuhet në raport.

Megjithatë, sipas raportit, vendimet e Gjykatës Administrative kanë treguar se ato pothuajse plotësisht kanë përkuar me vendimet e marra nga Agjencia.

Paralelisht, Agjencia ka përdorur edhe një kompetencë tjetër ligjore, duke iniciuar procedura kundërvajtëse ndaj zyrtarëve që nuk kanë vepruar sipas vendimeve të saj.

Procedurat janë iniciuar me kërkesë të vetë kërkuesve të informacionit, përkatësisht ankuesve, por edhe sipas detyrës zyrtare.

Të dhënat e vitit 2025 nxjerrin kështu në pah një problem të përsëritur në zbatimin e të drejtës për qasje në informacionet me karakter publik. Qytetarët në shumë raste nuk përballen vetëm me refuzimin e një kërkese, por me mungesën e përgjigjes nga institucionet.

Fakti që 438 ankesa, ose 69,96 përqind e tyre, janë paraqitur për shkak të heshtjes së administratës, ndërsa në 107 raste Agjencia është detyruar të marrë vendime meritore për t’i detyruar institucionet të japin informacionin, tregon se transparenca institucionale mbetet një problem i rëndësishëm në zbatimin praktik të së drejtës për informim.

Agjencia, ndërkaq, vlerëson se rritja e ankesave për heshtje të administratës kërkon masa shtesë, veçanërisht në drejtim të trajnimit dhe përgjegjësisë së strukturave drejtuese në institucionet shtetërore dhe lokale.

Ndryshe, nëse një qytetar kërkon informacion nga një institucion shtetëror dhe nuk e merr atë, ai mund të dorëzojë ankesë pranë Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik, i vetmi organ që e mbron këtë të drejtë. Deri më tani mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për të dorëzuar ankesë ishte përmes postës elektronike. Por, që në korrik të këtij viti, nëse ankesa dërgohet përmes email-it, ajo duhet të vërtetohet me nënshkrim elektronik, i cili kushton nga 2.000 deri më 4.000 denarë në vit. Me fjalë të tjera, nëse një person dëshiron të dorëzojë ankesë, ai person ose duhet të blejë një nënshkrim elektronik për ta vërtetuar ankesën, ose të paguajë për shërbime postare.

Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik (AQLI)Ligji për Qasje të Lirë ndaj Informatave me Karakter PublikTransparencë institucionale