Shkolla e Sellcës dhe Tekstilja as për këtë vit gati, nxënësit pritet të hyjnë në objektet e reja vitin tjetër

Shkolla fillore në fshatin Sellcë dhe shkolla e mesme ‘Gjoce Stojçecki’ (tekstile) në Tetovë nuk pritet të përfundojnë as për këtë vit shkollor, premtimi është zhvendosur për vitin e ardhshëm, transmeton Portalb.mk.

Ndonëse punimet po vijojnë në të dy shkollat, ende ka shumë punë deri në përfundimin e tyre.

Albi Qamili nga Komuna e Tetovës thotë se sipas dinamikës, pritet që deri në fund të vitit punimet të përfundojnë.

“Sa i përket shkollës së Sellcës, Qeveria për këtë vit ka ndarë 7 milion denarë që duhet të bëhet edhe muri mbajtës si kusht që të zmadhohet kjo shumë dhe besoj që edhe ky projekt do jetë gati, do rritet shuma dhe do hapet furnizimi publik edhe për fazën e dytë. Pra të dy shkollat, në fillim të vitit të ardhshëm nxënësit e këtyre shkollave do nisin me mësim në këto objekte”, deklaroi Qamili.

Derisa pritet që këto dy objekte të jenë gati, nxënësit e Sellcës mësimin e vijojnë në objektin e vjetër.

Ndërsa nxënësit e Tekstiles mësimin e vijojnë në shkollën fillore “Besa” në Reçicë të vogël, një pjesë prej të cilëve ndjekin mësim online.

Ndërtimi i Shkollës në Sellcë u votua në seancën qeveritare me 26 shtator 2023 ndërsa gur-themeli u hodh më 12 shkurt 2024 pas shumë zvarritjeve dhe shkeljeve të afateve. Ky objekt pritet të kushtojë rreth 100 milionë denarë. 

Ndërsa punimet për objektin e ri të Shkollës së mesme Tekstile dhe Gjimnazit “7 Marsi filluan në gusht të vitit 2025. Ndërtimi i  objektit pritet të kushtojë pesë milionë euro. Shumica e mjeteve për këtë projekt janë siguruar nga Qeveria e RMV-së.

Komuna e TetovësNxënës të shkollave fillore - filloristëNxënës të shkollave të mesmeShkolla e fshatit SellcëShkolla filloreShkolla të mesmeTë rinj - Rini - Rinia