Buzë liqenit dhe në hijen e malit të Taraboshit ndodhet një prej pasurive natyrore të Shkodrës, raporton Klan. Është fshati i Shirokës, një destinacion që po njeh, me kalimin e viteve, një interes të shtuar nga vizitorët.
Ndodhet vetëm 6 km larg nga Shkodra dhe është i aksesueshëm lehtë. Madje, vizitorët mund të zgjedhin ta bëjnë me biçikletë udhëtimin nga qyteti drejt fshatit të peshkatarëve.
Këtë vit, harta e turistëve është zgjeruar dhe ata vijnë nga shtete të ndryshme të botës. Veç bukurive të natyrës, vlerësojnë edhe mikpritjen e banorëve të zonës dhe kulinarinë. Thonë se do t’ua sugjerojnë të afërmve të tyre të ardhurin në këtë vend gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Edhe autoritetet lokale kanë shtuar investimet në këtë zonë, ndërsa zhvillimi i turizmit i ka dhënë hov edhe ekonomisë. Vitet e fundit janë hapur shumë biznese, kryesisht në fushën e shërbimeve apo hotelerisë.