Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, sot në një bisedë me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen, theksoi se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se NATO e mbështet plotësisht dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, të udhëhequr nga BE-ja, transmeton Portalb.mk.
Ajo theksoi rëndësinë e partneritetit mes NATO-s dhe BE-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë.
“Përmes misionit KFOR, NATO vazhdon të bëjë gjithçka që është ushtarakisht e mundur në terren për të mbrojtur paqen, në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Por, zgjidhja përfundimtare për stabilitet të qëndrueshëm rajonal është politike. Për këtë qëllim, NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe përpjekjet e përfaqësuesit special Sorensen”, deklaroi Shekerinska, thuhet në njoftimin e Aleancës.
Ajo gjithashtu theksoi se bashkëpunimi mes NATO-s dhe BE-së është në nivel të lartë.
Shekerinska nënvizoi se koordinimi i vazhdueshëm do të jetë kyç për përparimin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja dhe se aleatët janë dakorduar të rrisin mbështetjen për përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve.