SHBA vendosi sanksione ndaj Iranit, Kina kërkoi shmangien e tensioneve

Kina ka paralajmëruar të hënën se sanksionet dhe presioni ekonomik nuk janë mënyra për të zgjidhur mosmarrëveshjet, ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten të vendosin një paketë të gjerë sanksionesh ndaj Iranit dhe partnerëve të tij tregtarë, transmeton Euronews.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, deklaroi në Pekin se masat e presionit vetëm sa çojnë në përshkallëzim të tensioneve.

“Përshkallëzimi nuk i shërben interesave të askujt”, tha Lin, duke u bërë thirrje palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo masë që mund të rrisë më tej tensionet apo të dëmtojë ekonominë globale dhe stabilitetin financiar.

Deklaratat e Pekinit vijnë ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump po përgatitet të vendosë sanksione ndaj Teheranit dhe partnerëve të tij tregtarë, në kushtet e konfliktit të vazhdueshëm mes SHBA-së dhe Iranit.

Teherani i ka dënuar sanksionet amerikane si “terrorizëm ekonomik”, duke argumentuar se ato janë të destinuara të dështojnë.

Kina u ka bërë thirrje palëve të përfshira në konflikt që të rikthehen sa më shpejt në rrugën e dialogut dhe negociatave për të gjetur një zgjidhje politike.

IraniKinaShtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)