Në Kuvendin e Kosovës sot vazhdon seanca konstituive me pikën e mbetur të rendit të ditës atë të zgjedhjes së pesë nënkryetarëve, mes paqartësive nëse do të përmbyllet konstituimi i organit ligjvënës, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Seanca është caktuar që të vazhdojë nga ora 11:00.
Të mërkurën, deputetët rizgjodhën Albulena Haxhiun në postin e kryetares, por më pas seanca u shty pas pas mospajtimeve mes partive politike lidhur me votimin e pesë nënkryetarëve.
Partitë nuk kanë gjetur pajtim se si të votohen nënkryetarët, në pako apo ndaras. Po ashtu, një tjetër arsye e shtyrjes së seancës nga Haxhiu ishte shprehja “në emër të popullit serb” e përdorur nga Igor Simiq i Listës Serbe kur ai propozoi një bashkëpartiak të tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Ndërkaq, Haxhiu, por edhe Arbërie Nagavci nga LVV-ja thanë se nuk ka pajtim mes partive as për Vlora Çitakun e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kujtim Shalën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të propozuar për nënkryetarë të legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet parlamentare të qershorit.
Nagavci tha pas seancës të së mërkurës se LDK-ja dhe PDK-ja po kërkojnë vota për nënkryetarët, por nuk po mbështesin propozimin e Bekim Sejdiut për postin e presidentit.
Para seancës të së premtes, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj u pyet nëse e kanë ndryshuar propozimin për nënkryetar.
“Logjika e LVV-së për të nënshtruar të tjerët, te LDK nuk kalon”, tha ai.
Ndërkaq, Fitore Pacolli nga LVV veçse ka dhënë qëndrimet e saj për këtë çështje.
Sa i përket formulimit të përdorur nga Simiq i Listës Serbe, gjatë seancës të së mërkurës, Haxhiu i kërkoi atij të tërhiqte fjalën dhe të bënte sërish propozimin, duke e cilësuar si jokushtetues këtë shprehje.
“Ky deklarim është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës, ku 92 për qind janë shqiptarë, 4 për qind janë serbë dhe 4 për qind nga komunitetet tjera”, u shpreh Haxhiu.
Deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – edhe më herët kishin përdorur shprehjen “në emër të popullit serb” gjatë deklarimeve në Kuvendin e Kosovës.
Para seancës të së premtes, deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, tha se beson që Simiq “nuk do ta përsërisë më atë gabim”, duke iu referuar shprehjes “në emër të popullit serb”.
Ndryshe, Bekim Sejdiu është propozuar për postin e presidentit nga LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe LDK-ja e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku. Por, gjashtë deputetë – nga 18 sa ka LDK-ja në këtë legjislaturë – kanë thënë se nuk kanë votë për të.
PDK-ja dhe LDK-ja, por edhe Lista Serbe, pas seancës të së mërkurës e akuzuan LVV-në për zvarritje të procesit të krijimit të institucioneve të reja.
Aleanca, ndërkaq, nuk mori pjesë fare, duke argumentuar se janë tejkaluar afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët. Me konstituimin e Kuvendit, do të hapej rruga për formimin e Qeverisë së re të Kosovës dhe zgjedhjen e presidentit.
LVV-ja, së bashku me partitë e komuniteteve joserbe kanë vota të mjaftueshme për të zgjedhur një ekzekutiv të ri.
Megjithatë, 53 votat e LVV-së, dhe 12 – ashtu siç ka deklaruar Abdixhiku – të LDK-së, si dhe ato të pakicave joserbe janë të pamjaftueshme për të zgjedhur një president të ri.
Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.
Nëse deputetët s’arrijnë të zgjedhin kreun e ri të shtetit, qytetarët do t’i drejtohen sërish kutive të votimit. Ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare dhe të dytat për shkak të moskonsensusit për presidentin, që nga shkurti i vitit 2025.