SHBA-ja thotë se shkatërroi pesë cisterna iraniane, teksa Teherani kundërpërgjigjet në Gjirin Persik

Shtetet e Bashkuara dhe Irani e kanë përshkallëzuar ndjeshëm përplasjen mes tyre, pasi Uashingtoni shkatërroi pesë cisterna iraniane të naftës, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme me raketa ndaj forcave amerikane në Jordani dhe me pretendime për sulme ndaj anijeve luftarake amerikane dhe anijeve të tjera, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha më 9 shtator se forcat e saj shkatërruan anijet Kaviz, Charminar, Horizon 1 dhe Riesco në Gjirin e Omanit, si dhe anijen Derya pranë ishullit Kharg të Iranit.

CENTCOM tha se cisternat ishin pjesë e një rrjeti iranian të naftës, me vlerë miliarda dollarë, i cili dyshohet se financon Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) dhe aleatët e saj në rajon. Ekuipazheve iu dha urdhër të braktisnin anijet para se ato të goditeshin, dhe asnjë pjesëtar i personelit amerikan nuk u lëndua.

Sulmet pasuan dy përpjekje të dështuara iraniane për të goditur me raketa balistike një anije luftarake të Marinës amerikane, sipas CENTCOM-it. Ato ndodhën vetëm disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara thanë se kishin shkatërruar edhe tri cisterna të tjera iraniane të naftës, pas përpjekjeve për të sulmuar një aeroplanmbajtëse dhe një shkatërruese amerikane.

Irani u kundërpërgjigj gjatë natës duke lëshuar 20 raketa balistike drejt Jordanisë, sipas autoriteteve jordaneze. Mbrojtja ajrore e Jordanisë pengoi 18 prej tyre, ndërsa dy ranë në zona të pabanuara. Nuk u raportua për viktima.

IRGC-ja pretendoi gjithashtu se kishte sulmuar dy anije luftarake amerikane dhe tetë cisterna të tjera, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

IRGC-ja paralajmëroi veçmas ekuipazhet e cisternave në portet e Kuvajtit dhe Bahreinit që të evakuoheshin, duke ngritur frikën për ndërprerje të mëtejshme të transportit detar rreth Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve detare me rëndësi strategjike.

Përshkallëzimi tashmë ka ndikuar në transportin detar: të dhënat e Kpler tregojnë se vetëm gjashtë anije tregtare kaluan përmes Hormuzit më 8 shtator, shumë më pak se mesatarja e kohëve të fundit.

IraniLindja e MesmeShtëpia e Bardhë SHBA