Miliona njerëz në të gjithë Spanjën morën pjesë në një grevë të përgjithshme 24-orëshe kundër rritjes së çmimeve të banesave dhe qirave, raporton “The Guardian”. Greva, e para e këtij përmasimi në 14 vitet e fundit, u organizua nga shoqatat e qiramarrësve, ndërsa më vonë mori mbështetjen edhe të sindikatave të punëtorëve.
Organizatorët bënë thirrje për ndërprerje të punës në të gjithë sektorët. Sipas Konfederatës së Shoqatave të Qiramarrësve, deri në mesditë në grevë kishin marrë pjesë rreth katër milionë njerëz.
Në shumë shkolla dhe universitete mësimi u ndërpre. Në Madrid, greva u zhvillua njëkohësisht me protestat e mësimdhënësve, të cilët prej gati një muaji po kërkojnë kushte më të mira pune.
Në Barcelonë, protestuesit vendosën bllokada në rrugë, ndërsa në disa vende dogjën edhe goma automjetesh. Transporti publik pothuajse u ndërpre plotësisht, ndërsa u bllokuan edhe akse të rëndësishme rrugore, përfshirë autostradën AP-7. Organizatorët pretendojnë se në protestë morën pjesë 400.000 njerëz, ndërsa policia vlerësoi se numri i tyre ishte rreth 55.000.
Në Madrid, pavarësisht reshjeve të dendura të shiut, rreth 120.000 protestues dolën në rrugë. Pati përleshje mes policisë dhe pjesëmarrësve në bllokada. Gjatë mbrëmjes, grupe të vogla protestuesish dëmtuan dyqane dhe u vunë flakën kontejnerëve në Barcelonë, pas së cilës pati përleshje me policinë. Përfaqësuesit e qeverisë njoftuan se në të gjithë vendin janë arrestuar më shumë se 50 persona për shkak të incidenteve të vogla.
Ndërkohë edhe në Athinë, qindra njerëz protestuan për shkak të qirave të larta dhe krizës së strehimit, e cila po bëhet gjithnjë e më serioze.
Protestuesit, të cilëve iu bashkuan përfaqësues të sindikatave, shoqatave studentore dhe organizatave të shoqërisë civile, u mblodhën në sheshin “Klafthmonos”, në qendër të qytetit.
Ata kërkuan nga qeveria greke të ndërmarrë masa konkrete për të kufizuar rritjen e kostove të banimit dhe për të siguruar mbrojtje më të mirë për qiramarrësit.
Pas tubimit, pjesëmarrësit në protestë u drejtuan për te ndërtesa e Parlamentit.
Ata theksuan se banimi i përballueshëm duhet të jetë i qasshëm për të gjithë.
Protesta, e organizuar nga iniciativa “Strehim për të gjithë”, kaloi e qetë.