Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj një individi dhe një kompanie në Bosnje e Hercegovinë, duke i akuzuar se e mbështesin një rrjet të korrupsionit në Bosnje e Hercegovinë, i cili është duke bërë përpjekje për t’i shmangur sanksionet amerikane, raporton Radio Evropa e Lirë.
Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha se ky rrjet është drejtpërdrejt i lidhur me të sanksionuarin Igor Dodik, djalin e Millorad Dodikut, presidentit të sanksionuar të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska (RS).
Njoftimi për sanksione vjen në ditën kur Millorad Dodik e uroi presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për t’i vënë në pah përpjekjet e Dodikut dhe familjes së tij për t’i ruajtur rrjetet e tyre të korrupsionit”, thuhet në njoftim.
Sanksionet e reja përfshijnë Vladimir Perishiq dhe kompaninë “Elpring doo Laktaši”.
OFAC tha se Dodiku për vite të tëra e ka përdorur pozitën e tij zyrtare për të mbledhur pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe me të birin, Igor.
“Ky korrupsion ka kontribuar në minimin e besimit të publikut në institucionet shtetërore të Bosnjës dhe në sundim të ligjit”, tha OFAC.
“Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, bashkëpunëtorët e tij, dhe mundësuesit e tij, vazhdojnë t’i përdorin pozitat e tyre të privilegjuara, për ta çrrënjosur besimin e publikut në kornizat rajonale të paqes dhe në institucione që kanë sjellë stabilitet dhe siguri në Bosnje e Hercegovinë”, tha ushtruesi i detyrës së nënsekretarit të Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Bradley T. Smith.
Pas sanksionimit të kompanisë “Kaldera” më 18 qershor 2024, Igor Dodik urdhëroi Millenko Qiçiq, i cili më parë ishte në listën e të sanksionuarve, ta themelonte firmën “Elpring doo Laktaši”, e cila do të shërbente si zëvendësim për “Kaldera”.