“Revolta” vazhdon, pas orëve qetësie, rinisin tensionet në Tiranë, policia shpërndan protestuesit

 Protestuesit janë mbledhur sërish sot në kryeqytet në ditën e tetë të rezistencës. Me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të rinjve u kanë ardhur në mbështetje dhe pedagogët. Protesta sot ka nisur paqësore me raste sporadike tensioni. Mirëpo, “paqja” është thyer dhe një herë tjetër dhe sulmet mes protestuesve dhe forcave policore kanë rinisur, raporton Klan.

Duket se është thyer “pakti i paqes” mes forcave të policisë dhe protestuesve. Sheshi Skënderbej duket se është kthyer në një “shesh beteje”. Protestuesit kanë hedhur lëndë piroteknike dhe fishekzjarrë në drejtim të Teatrit të Kukullave, ndërkohë që policia u është përgjigjur me gaz lotsjellës.

Protestuesit arritën të grumbulloheshin përsëri në sheshin “Skënderbej”, por policia i shpërndau pas sasive të mëdha të gazit lotsjellës që lëshuan në mesin e turmës.

Gjatë 7 ditëve të para, protestat janë shoqëruar me përplasje, dhunë dhe dëmtime të pronës publike e private. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se shteti nuk do të dorëzohet përballë “valës së dhunës”. Rama ka vendosur karrige para godinës së Kryeministrisë, me mbishkrimin “dialog”, duke përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për gatishmëri për komunikim dhe dëgjim me këdo.

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet të enjten, më 22 tetor, në seancë plenare që nis në orën 10:00. Sipas njoftimit të zyrës për shtyp, në rendin e ditës parashikohen katër interpelanca, mes të cilave edhe një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

ShqipëriaTirana