Sela: Gjykata Kushtetuese të ndërpresë votimin sipas përkatësisë etnike dhe deklaratave të Mickoskit

Duhet t’i jepet fund votimeve etnike siç ndodhi dje në Gjykatën Kushtetuese, e cila mori  vendim skandaloz për balancuesin, i frymëzuar nga deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, tha kreu i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në një konferencë për media në Kuvendin e Maqedonisë. Ai mendon se për ligjet e miratuara me Badenter duhet të vendosë edhe Gjykata Kushtetuese me shumicën e Badenterit, transmeton Portalb.mk.

“Heqja ose vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar balancuesin, për ne si ASH përbënë shqetësim. Kjo duhet të shqetësojë të gjithë qytetarët, pasi nuk është vetëm vendim i gjykatës, por është paralajmërim politik i kryeministrit të tanishëm. Që kur u hap diskutimi për heqjen e 20-përqindëshit ai paralajmëroi edhe heqjen e balancuesit. Kjo nuk i kontribuon paqes dhe bashkëjetesës në vend, por krijon pasiguri dhe frikë te qytetarët. Ndërsa tek debati për destabilizim, tani shihet se kush e nxit këtë”, tha Sela.

Ai konsideron se minimumi që duhet të ndodhë në një situatë të tillë është miratimi i një ligji sipas të cilit për të gjitha ligjet e miratuara me Badenterin duhet të vendosë edhe Gjykata Kushtetuese me shumicën e Badenterit.

“Sa i përket VLEN-it dhe fjalëve boshe të tyre, planet e Qeverisë, shkojnë në programin qeveritar, dhe në programin qeveritar unë nuk kam vërejt që ekziston diçka e tillë. Kanë instruksionet e mjaftueshme të kampanjës të vitit 2020 ku unë kam fol gjatë gjithë kampanjës për nevojën për sjelljen e një ligji dhe përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Dhe kanë dëgjuar, dhe në kohën pas zgjedhjeve të 2020 ne kemi përgatitur një ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe ligj që mendojmë ta dorëzojmë në procedurë parlamentare në mënyrë që ta bëjmë më të sigurt garantimin e vendeve për çdo të punësuar dhe çdo bashkësi etnike”, deklaroi Ziadin Sela.

Ai tha se ky vendim është pjesë e majorizimit, të cilin sipas tij e ka paralajmëruar kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas Selës, ky vendim po ashtu është pjesë e destabilizimit, që është bërë temë kohën e fundit.

Gjykata Kushtetuese me 18 shtator 2024 vendosi të nisë procedurë për hapjen e lëndës pas nismës së KSHPK-së që konteston dispozitat që kanë të bëjnë me përfaqësimin e drejtë etnik në institucione, i njohur ndryshe si “balancuesi”.

Ndryshe, ministri i Administratës Publike Goran Minçev më 27 korrik tha se janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjeti për punësim sipas nacionalitetit në institucionet shtetërore. Në gusht 2022, ministri i atëhershëm Admirim Aliti bëri një përllogaritje të re, duke numëruar diasporën nga regjistrimi i vitit 2021 dhe rriti përqindjen e punësimit të shqiptarëve në 29.54%.

Kështu, sipas përllogaritjeve të reja në planet vjetore të punësimit në institucionet e sektorit publik, korrigjohen përqindjet: maqedonas nga 54,21% në 58,44%, shqiptarë nga 29,52% në 24,30%, turq nga 3,98% në 3,86%, romë nga 2,34%. në 2,53%, serbët nga 1,18% në 1,30%, për boshnjakët mbetet njëjtë dhe vllehët nga 0,44% në 0,47%.

Kujtojmë se në seancën e mbajtur më 11 janar të këtij viti, Komisioni Antikorrupsion vendosi të paraqesë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e mjetit “balancuesi”, pasi vlerësojnë se me këtë bëhen keqpërdorime në punësim.

BalancuesiGjykata Kushtetuese RMVZiadin Sela