Saveski: Mungesa e prokurorëve dhe financimi i pamjaftueshëm pengojnë punën e Prokurorisë Publike

Mungesa e prokurorëve publikë, kushtet e papërshtatshme hapësinore dhe mjetet e kufizuara financiare janë ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballet Prokuroria Publike, theksoi prokurori publik shtetëror Nenad Saveski gjatë prezantimit të Raportit vjetor për punën në vitin 2025 para Këshillit të Prokurorëve Publikë, transmeton Portalb.mk.

” Kam përshtypjen se një prokuror kryen punën e tre prokurorëve, gjë që ndikon në dinamikën e procedurave, por jo edhe në cilësinë e vendimeve të prokurorisë”, tha Saveski.

Ai theksoi se problemet me mungesën e kuadrit dhe financimin e pamjaftueshëm janë të pranishme prej vitesh dhe ndikojnë drejtpërdrejt në efikasitetin e institucionit.

Saveski përsëriti apelin për miratimin e Ligjit të ri për Prokurorinë Publike, i cili prej një periudhe më të gjatë ndodhet në procedurë parlamentare. Ai kërkoi që ligji të miratohet sa më shpejt, duke respektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, veçanërisht në pjesën e përqindjes së buxhetit shtetëror që duhet t’i sigurohet prokurorisë.

Duke folur për lëndët aktuale, Saveski iu referua edhe paraburgimit të të akuzuarit Dejan Jovanov në rastin “Puls”.

Ai theksoi se vendimet për garancitë dhe masat për sigurimin e pranisë së të akuzuarve i marrin prokurorët publikë kompetentë, në përputhje me kompetencat ligjore, ndërsa të gjithë të akuzuarit i kanë të drejtat e garantuara me Ligjin për Procedurën Penale.

Lidhur me çështjet për financimin e festimit me rastin e 35-vjetorit të pavarësisë, Saveski tha se Prokuroria Publike e shqyrton çdo situatë nga aspekti juridiko-penal.

Ai konfirmoi se është i informuar se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur lëndë, por theksoi se procedura e Komisionit Kundër Korrupsionit nuk është e lidhur me veprimin e prokurorisë.

“Sigurisht, çdo situatë, përfshirë edhe këtë, prokuroria e analizon dhe nëse gjen baza, do të veprojë”, shtoi Saveski.

Saveski iu referua edhe rregullores së re për zgjedhjen e kreut të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Sipas tij, me rregulloren vendosen standarde të transparencës dhe përcaktohet më qartë procesi i zgjedhjes, ndërsa kandidatët do të kenë mundësi që publikisht t’i prezantojnë programet dhe idetë e tyre.

Kujtojmë se Prokuroria Publike gjatë vitit 2025 ka punuar me 67 prokurorë më pak sesa numri i paraparë.

Nenad SaveskiProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMV