Një ditë e nxehtë verore gjithandej, por jo edhe në Mavrovë. Pasi punës së lodhshme në redaktimin e një libri, dalim me bashkëshorten të pushojmë buzë liqenit, që sivjet për çudi gufon nga uji i bollshëm. Vitet e kaluara të jepte një përshtypje të krizës ekologjike të ujit për të cilën alarmojnë ambientalistët, ekspertët e fushës dhe katastrofistët që besojnë se kolapsi ekologjik është i pashmangshëm ose tashmë në proces e sipër.
Liqeni. Një bukuri mahnitëse, një mini-det ku peshqit e vegjël lëkundin horizontalitetin e ujit me kërcimet e tyre sinfonike, sikur duan të nuhasin botën mbiujore. Gjelbërim gjithandej dhe tek-tuk njerëz që vizitojnë këtë perlë, një nga pesë destinacionet kyç turistike të vendit. Turistët e huaj bëjnë kamping në makinat e tyre speciale, shfrytëzojnë qetësinë e papërshkrueshme. Ne qëndrojmë në karriket tona, me kafenë në dorë, duke soditur horizontin e duke thithur oksigjenin e kësaj gjeografie piktoreske të pashoqe. Dhe pas rreth dy orësh, i hipim makinës për t’u kthyer në banesë.
Me të arritur në kompleks, para na del një çift bashkëshortor, me sallame në dorë që ua hedhin qenve endacakë. “Sa bukur” – them me vete. “Nivel tjetër i perceptimit të qenies, i një shtrese të makromozmosit me të cilën bashkëjetojmë dhe që mban ekuilibrin e jetës.” Shoqja, me shami, zbret ndërsa unë rinis veturën për ta parkuar pak më sipër, te hapësira e veçantë. Me t’u kthyer dëgjoj se çifti flet maqedonisht dhe si zakonisht siç e do bontoni gatitem t’i përshëndes, ndërkohë që ata bëhen gjoja të superangazhuar ndonëse shohin që para shfaqet silueta e një njeriu që s’mund të mos duket. Thellohen qëllimshëm në bisedë dhe avash kthejnë kokat në anën tjetër duke i prerë sallamet që ua hidhnin qenve endacakë. Dhe gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi. Pse kthyen kryet andej njerëz që s’na njohin fare? Pse s’bënë minimumin që duhej bërë sa për sy e faqe: përshëndetjen me një “Zdravo!”, “Dobar den!” Djalli punon. Thuaju provokueshëm: “Jungjatjeta”, “Merhaba”, “Hello!”, “Buongiorno!” “Hajde aman hiqju tyre, mos krijo tensione kot, s’ke nevojë, e bajtshin me shnet këtë mosrespekt” – thotë engjëllorja brenda nesh. Dhe e zgjedhim të dytën. Na erdhi keq që ne s’i përshëndetëm të parët, por açëk ishte se s’e donin atë.
Kthehem në banesë dhe e pyes bashkëshorten nëse i kishin folur asaj dhe mësojmë se jo, “bile pacipërisht treguan shqetësim nga prezenca jonë” – shtoi ajo. S’di pse – thotë. “E di- bisedoj me veten – ku e kanë problemin. Mbulesa e kokës së bashkëshortes u tregoi se jemi shqiptarë, myslimanë! Po ç’kanë me ne? Pse? Sa të gjorë? Nuk shprehin as minima moralia ndaj bashkëvendasve të vet.” Toleranca nënkupton të respektosh tjetrin në tjetërsinë e vet, botëkuptimin, kulturën, dukjen, mënyrën e jetesës së tjetrit. Animoziteti ndaj njeriut është një tregues i nivelit kulturor dhe moral të atij që ushqen urrejtje. Si ka mundësi të shfaqet kjo kontradiktë? Nga njëra anë proanimalistë, pro-vita, nga ana tjetër paragjykues, jonjerëzorë. Si ka mundësi të duken shumë të ndjeshëm ndaj qenve ndërsa të pandjenjë ndaj njeriut? Ndoshta kanë thënë në vete: Çfarë kërkojnë këta tani këtu? Në Mavrovë? S’diskutohet fare se edhe qentë meritojnë mëshirë, mirësjellje, por ama megjithatë njeriu është bebëza e universit dhe ka një rend në këtë univers.
Shumica e filozofëve klasikë nuk i shihnin kafshët si të barabarta me njerëzit; ata vendosnin një dallim hierarkik mes njeriut dhe botës shtazore. E kundërta ishte për ta e paimagjinueshme. Aristoteli argumentonte se ekziston një hierarki natyrore e qenieve. Sipas tij, bimët kishin shpirt ushqyes, kafshët shpirt ndijor, ndërsa njeriu kishte edhe logosin (arsyen). Për këtë arsye, ai e konsideronte njeriun si qenie më të lartë dhe kafshët si qenie që ekzistonin në një rend më të ulët natyror. Edhe sipas Shën Augustinit njeriu është më i lartë për shkak të shpirtit racional. Në pikëpamjen islame njeriu dhe kafshët nuk janë të barabartë në statusin ontologjik (njeriu ka përgjegjësi dhe rol të veçantë); njeriu ka epërsi të shoqëruar me përgjegjësi, por jo të drejtë absolute për dominim; marrëdhënia ideale është kujdestaria, mëshira dhe drejtësia, jo shfrytëzimi. Në filozofinë moderne, ideja e barazisë morale të kafshëve u zhvillua nga Jeremy Benthami, i cili argumentoi se pyetja kryesore nuk është nëse kafshët mund të arsyetojnë apo të flasin, por nëse mund të vuajnë.
Adorno argumenton se në shoqërinë moderne kapitaliste, industriale, në një botë të dehumanizuar, etika e madhe (magna moralia) është e pamundshme; ajo që na mbetet është morali minimal (minima moralia), përpjekja për të ruajtur një fije njerëzillëku. Sikur të mund ta shprehnim e ta vinim në veprim së paku këtë të dytën do ishim shumë më optimistë për të ardhmen e njerëzimit.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.