Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështjet Evropiane u takua sot me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Koss, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Bruksel. Në takimin me Komisioneren Evropiane, ai konfirmoi angazhimin e Qeverisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e reformave, transmeton Portalb.mk.
“Ky moment pozitiv duhet të shfrytëzohet përmes bashkëpunimit të ngushtë me institucionet evropiane, për të avancuar konkretisht procesin integrues”, porositi Sali pas takimit me Kos.
Në këtë drejtim, ministri për Çështjet Evropiane dhe kryenegociatori theksoi angazhimin për vazhdimin e reformave, zbatimin konsistent të Planit të Rritjes dhe Axhendës së Reformave, si dhe për ruajtjen e një dialogu të vazhdueshëm dhe konstruktiv me Bashkimin Evropian.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.