Autoritetet e Kosovës kanë nisur të premten rrënimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në fshatin Rezallë, pranë Liqenit të Ujmanit, në territorin e komunës së Zubin Potokut, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë (REL) zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Ai tha se nuk ka informacion se sa shtëpi do të rrënohen dhe se Policia e Kosovës vetëm po i ofron asistencë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Para rrënimit, banorët e Rezallës fillimisht morën një kërkesë nga ndërmarrja “Ibër-Lepenc” – e cila thotë se objektet janë të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në tokën e saj – për të dëshmuar pronësinë mbi pronën që përdorin. Pas skadimit të afatit për ta bërë këtë, banorët morën urdhër për t’i larguar objektet.
Ivan Galak nga fshati Rezallë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është rrënuar salla që e kishin ndërtuar vetë banorët për festa, ndërsa pretendon se ajo “nuk rrezikonte” askënd dhe se në të mblidheshin dy herë në vit.
“Janë bllokuar të gjitha rrugët drejt fshatit, salla tashmë është rrënuar, ka filluar”, tha ai.
Megjithatë, ai shtoi se shtëpia e tij nuk duhet të rrënohet, pasi kanë dorëzuar dokumentet për vërtetimin e pronësisë nga vitet ’60 të shekullit të kaluar dhe se u është thënë se ato janë pranuar.
Galak megjithatë thekson se banorët e Rezallës kishin një afat prej një jave për të dëshmuar pronësinë dhe se shumë prej tyre nuk ia dolën për shkak të, siç thotë ai, “sistemit paralel të ndërlikuar”.
Ndërkohë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi, njoftoi se gjatë ditës ishte planifikuar rrënimi i gjithsej gjashtë objekteve dhe kërkoi ndalimin urgjent të rrënimeve të mëtejshme.
“Kjo nuk është një rast i izoluar. Kjo është vazhdimësi e rrënimeve të paligjshme të shtëpive dhe objekteve serbe me qëllim dëbimin e serbëve, pasi deri më tani në këtë zonë janë rrënuar 17 objekte”, u tha në njoftimin e partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit.
Lista Serbe kritikoi edhe komunitetin ndërkombëtar për faktin se kësaj radhe nuk ka reaguar ndaj rrënimeve, duke thënë se “një heshtje e tillë nuk mund të konsiderohet më neutralitet”.
“Populli serb me të drejtë e sheh atë si mbështetje të hapur për politikën e cenimit të të drejtave, mbijetesës dhe pronës së tij”.
Për këtë ngjarje reagoi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cila pretendoi se autoritetet në Kosovë, përveç rrënimit të objekteve pranë Ujmanit, më 4 shtator kanë marrë nën kontroll edhe objektet në Zveçan, “me arsyetimin se ato janë pronë e ndërmarrjes Trepça”.
Në njoftim thuhet se Zyra do t’i informojë sërish për gjithçka përfaqësuesit ndërkombëtarë, ndërsa përfaqësuesit e saj, së bashku me Listën Serbe, po kërkojnë mënyra për t’u ndihmuar familjeve të prekura.
Aksioni i 4 shtatorit është vazhdim i rrënimeve të objekteve pranë Liqenit të Ujmanit, objekte që Kosova thotë se janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme, ndërkaq pronarët e kundërshtojnë ashpër këtë gjë, duke pretenduar se kanë dokumente të lëshuara nga sistemi serb.