Rrjeti i kanalizimit në Llopat i përkeqësuar nga zgjerimi i shpejtë urban, Komuna e Kumanovës pa plan për zgjidhje

Autoritetet lokale të Kumanovës edhe pse janë të njoftuar me problemin, nuk kanë zgjidhje për bllokimin e kanalizimit në fshatin Llopat. Sipas Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi”, zhvillimi dhe zgjerimi i shpejtë urban ka ndikuar në zhvillimin joproporcional të rrjetit të kanalizimeve fekale, shkruan Portalb.mk

Nga “UjësjellësiKumanovë”, si ndërmarrje që kujdeset dhe kryen analiza të përhershme të gjendjes së sistemit të kanalizimit, për Portalb.mk konfirmojnë se në 10 vitet e fundit, janë zhvilluar disa takime midis përfaqësuesve të shërbimeve profesionale të NP Ujësjellësi dhe përfaqësuesve të fshatit Llopat. 

“Sistemi i kanalizimit në qytet fillimisht ishte konceptuar si i veçantë, përkatësisht ujërat fekale do të pranoheshin dhe kanalizoheshin në një impiant trajtimi me një sistem të vetëm të tubave të kanalizimit të dimensionuar sipas standardeve teknike dhe PDU-së ekzistues për qytetin, ndërsa ujërat e shiut nga zonat publike – të trafikut do të pranoheshin nga një sistem tjetër i tubave të kanalizimit dhe do të kanalizoheshin në vendet e parapara ku do të derdheshin në përrenj natyrorë – marrës. Zhvillimi dhe zgjerimi i shpejtë urban i qytetit, kërkesat e reja të jetesës moderne, ndryshimet e shumta në PDU paralelisht me ndryshimet në Ligjin për Ndërtimin, Projektimin dhe Ndërtimin e Kanalizimeve në intervale të ndryshme kohore (sipas PDU-së së atëhershme) dhe me periudha të ndryshme (shpesh të ndryshueshme) të shfrytëzimit, kontribuan në zhvillimin joproporcional dhe të papajtueshëm të rrjetit të kanalizimeve fekale”, thanë nga “Ujësjellësi- Kumanovë”.

Rrjeti i pazhvilluar i kanalizimeve për kullimin e ujërave të shiut, shkruan tutje në përgjigjen e institucionit, i përballur gjithashtu me anomali të shumta të shkaktuara nga ndryshimet e shpeshta në planet urbanistike dhe kushtet e reja hidroteknike, gjithashtu nuk ka kapacitetin e nevojshëm në momentet kritike, kështu që shpesh përmes shtigjeve të ndryshme (ulluqe të lidhura, rrjeta të paligjshme të kullimit, ura dhe kanalizime të paligjshme…) ujërat e shiut hyjnë në rrjetin e kanalizimeve fekale, gjë që nga ana tjetër shkakton bllokim të kanalizimeve fekale dhe përmbytje të ndërtesave banesore, tregtare dhe publike, duke shkaktuar dëme.

“Përveç kësaj, pas rrethanave të shumta (periudha e kaluar e shfrytëzimit, dridhjet tektonike, aktivitetet urbane dhe ndërtimi i instalimeve të tjera ku ndodhen tubacionet e kanalizimeve, defekte të shumta në instalimet tona dhe të tjera, ndryshimi i rrjedhës dhe nivelit të ujërave nëntokësore, rritja e jashtëzakonshme e ngarkesës së trafikut, përdorimi jo i duhur…), si dhe për shkak të një sërë dështimesh teknike në ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve dhe objekteve, ka një depërtim gjithnjë e më të madh të ujërave nëntokësore në sistemin e kanalizimeve për kullimin e ujërave fekale, gjë që sigurisht paraqet një barrë shtesë për sistemin”, sqarojnë nga “Ujësjellësi Kumanovë”. 

Sipas “Ujësjellësi- Kumanovë”, për shkak të shkaqeve më sipër dhe duke marrë parasysh parametrat e përdorur në dimensionimin e impiantit të trajtimit, ata mendojnë se nuk ka mundësi për një zgjerim të madh të sistemit ekzistues të kanalizimeve, ndërsa pjesë të caktuara të sistemit të kanalizimeve (një pjesë e fshatit Llopat) po bëhen jofunksionale.

Prandaj nga “Ujësjellësi” porosisin: 

“Ndërtimi i impianteve të reja të trajtimit të ujërave të zeza për sistemet e kanalizimeve që synojnë të lidhen me sistemin e kanalizimeve të Kumanovës për kullimin dhe trajtimin e ujërave fekale, ne besojmë se nga një perspektivë teknike dhe ekonomike, është zgjidhja më efektive nga ana e kostos. Qytetarët do të mbrohen më mirë nga përmbytjet gjithnjë e më të shpeshta, nuk do të financohen linjat e gjata të kanaleve, funksionaliteti i impiantit të trajtimit të ujërave të zeza të Kumanovës do të jetë optimal pa derdhjen e ujërave fekale në recipientë”.

Ndryshe, “Ujësjellësi” nuk ka përgjigje në pyetjen se, kush duhet të mbajë llogari për gjendjen aktuale me kanalizimet dhe atë që vet institucioni e rekomandon “ndërtimin e impianteve të reja për trajtimin e ujërave të zeza”. 

Edhe nga Komuna e Kumanovës nuk morëm përgjigje zyrtare se a do ketë zgjidhje për problemet me kanalizimin në Kumanovë dhe rrethinë.

Por, jo zyrtarisht mësojmë se në planet aktuale të komunës nuk ekziston plan për zgjidhje përfundimtare rreth problemeve me kanalizimin.

Kujtojmë se banorët e fshatit Llopat, komuna e Kumanovës, për Portalb ngritën alarmin se kanali kryesor fekal që vjen nga fshatrat tjera dhe kalon në fshatin Llopat ka probleme- është i bllokuar. Ata denoncuan se uji u kthehet nëpër shtëpi dhe kundërmon erë shumë e keqe. 

“Ne kemi bërë kërkesa edhe gojore edhe me shkrim deri te komuna dhe ujësjellësi. Por, po hasim në vesh të shurdhër. Nuk ndërmarrin asnjë veprim për ta zgjidh problemin në fjalë. Nuk e di pse është ky ngurrim për të reaguar. Kjo e ndotë edhe Kumanovën, jo vetëm Llopatin. Nuk është në rregull kjo punë”, tha për Portalb, Shukri Bekiri, nga fshati Llopat.

Kryetari aktual i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, kuadër i ZNAM, jozyrtarisht pritet të kandidojë për mandatin e tretë si i pari i qytetit. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor 2025.

Kanalizim fekal i ujërave të zezaKomuna e KumanovësVideo Lajme