Ministria e Digjitalizimit: Ueb-faqet e Qeverisë së RMV-së dhe ministrive u mbrojtën me kohë nga cenueshmëritë kritike

Ministria e Transformimit Digjital njoftoi se faqet e internetit të Qeverisë dhe ministrive u mbrojtën me kohë përmes masave parandaluese dhe teknike, pas publikimit të informacioneve për cenueshmëritë kritike të sigurisë në gjuhën programuese PHP, të cilat shkaktuan ndërprerjen e përkohshme të funksionimit të shumë faqeve të internetit të qeverive në Evropë dhe në botë, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të aktiviteteve parandaluese, u bllokua përkohësisht trafiku i jashtëm i internetit drejt sistemeve të prekura, me qëllim që të parandalohej shfrytëzimi i mundshëm i këtyre cenueshmërive. Më pas, u kontrolluan versionet e softuerëve, u aplikuan arnimet dhe përditësimet përkatëse të sigurisë, si dhe u verifikuan funksionaliteti dhe siguria e shërbimeve të internetit.

“Masat e ndërmarra synojnë të zvogëlojnë rrezikun e qasjes së paautorizuar, ekzekutimit të kodeve keqdashëse dhe komprometimit të mundshëm të serverëve të internetit. Sipas kontrolleve të deritanishme, nuk janë konstatuar indikacione për shfrytëzim të suksesshëm të cenueshmërive të përmendura apo për komprometim të faqeve të internetit të Qeverisë dhe ministrive”, thonë nga Ministria e Transformimit Digjital.

Ministria e Transformimit Digjital thotë se, përmes Sektorit për Siguri Kibernetike dhe ekipit qeveritar për reagim ndaj incidenteve të sigurisë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon monitorimin e shtuar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizimin e ngjarjeve të sigurisë dhe regjistrave të aktiviteteve, si dhe kontrollimin e indikatorëve të mundshëm të komprometimit.

“Mbrojtja e infrastrukturës digjitale qeveritare mbetet prioritet i Ministrisë. Përmes zbulimit dhe eliminimit në kohë të cenueshmërive dhe zbatimit të përditësimeve përkatëse të sigurisë, Ministria vazhdon ta forcojë sigurinë e sistemeve dhe të sigurojë funksionimin e qëndrueshëm dhe të besueshëm të shërbimeve elektronike për qytetarët dhe kompanitë”, thonë nga MTD.

Përndryshe, ueb-faqet e disa qeverive në Evropë dhe në botë u çaktivizuan dje, pasi u zbuluan dobësi kritike në një gjuhë programimi të përdorur gjerësisht, duke i detyruar operatorët e ueb-faqeve në mbarë botën të punojnë me urgjencë për mbrojtjen e sistemeve të tyre.

Ministria e Transformimit Digjital (MTD)Qeveria e Maqedonisë së Veriut