Rregulla për popullin, privilegje për qeveritarët: Shoferët e Mexhitit dhe Fetait shpëtuan pa gjoba

Edhe përkundër njoftimit se për shoferët e zëvendëskryeministrave Izet Mexhiti dhe Arben Fetai janë marrë masa adekuate në përputhje me rregullat dhe procedurat disiplinore në fuqi për parkim të parregullt selisë në Shkup të VLEN-it, në bulevardin “Krste Petkov Misirkov”. Nga MPB për Portalb.mk njoftojnë se të njëjtit nuk janë gjobitur. 

“Sektori për Siguri në Komunikacionin Rrugor në SPB Shkup, në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimit të tij, gjatë ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve të përditshme në fushën e trafikut, nuk ka marrë asnjë njoftim për automjete të parkuara në mënyrë të paligjshme në atë segment rrugor dhe gjatë aksioneve të rregullta policore nuk janë vërejtur shkelje të kësaj natyre”, thanë nga MPB-ja.

Në pyetje gazetareske për parkim jo adekuat të shoferit të ministrit në komunikacion, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor me të cilën udhëheq Izet Mexhiti, patën deklaruar:

“Lidhur me mënyrën e parkimit të automjeteve zyrtare, janë marrë masa adekuate kundër shoferëve, në përputhje me rregullat dhe procedurat disiplinore në fuqi”. 

Kujtojmë se, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mjedisit Izet Mexhiti dhe zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë Arben Fetai ishin në një takim në lidhje me politikat qeveritare kur u fotografuan nga “360 Gradë” automjetet e tyre zyrtare më 15 korrik në orën 23:00 të parkuara në bulevardin pranë qendrës tregtare “Mavrovka”.

Ndryshe, Qeveria ka njoftuar një zgjidhje për problemin e keqpërdorimit të mundshëm të automjeteve zyrtare duke futur targa me ngjyra për automjetet zyrtare dhe duke futur një mekanizëm përmes të cilit çdo qytetar do të jetë në gjendje të raportojë keqpërdorimin e një automjeti zyrtar. 

Arben FetaiIzet MexhitiMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)