Sot në kazermën “Strasho Pinxhur” në Petrovec, në prani të kryeministrit, Hristijan Mickoski, ministrit të Mbrojtjes Vllado Misajlovski, zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Sashko Lafçiski dhe u.d shefes së Misionit të Ambasadës Amerikane, Nicole Varns, u promovuan 17 automjetet e sapoardhura të blinduara të lehta të tipit “STRYKER”, të cilat u blenë nga SHBA-të në procesin e modernizimit dhe pajisjes së ARM-së, transmeton Portalb.mk.
Në këtë ngjarje, kryeministri Mickoski theksoi se investimet në mbrojtje dhe në Ushtri vazhdojnë dhe se automjetet e blinduara “STRYKER” do të forcojnë ndjeshëm kapacitetin e ARM-së.
“Kjo do të thotë shumë për ne, përmirësohet operacionaliteti, praktikisht rritet lëvizshmëria e vetë Ushtrisë dhe në këtë mënyrë bëhemi më konkurrues në krahasim me ushtritë e tjera. Ne si Qeveri do të vazhdojmë të investojmë në Ushtrinë tonë maqedonase në të ardhmen”, tha Mickoski.
Ministri Misajlovski tha se ky është një nga projektet më të mëdha të Ministrisë së Mbrojtjes dhe se modernizimi i ARM-së vazhdon me një ritëm të fortë sepse më shumë se 32% e Buxhetit të Mbrojtjes është planifikuar për modernizim.
“Siç mund ta shihni pas meje, 17 automjete kanë mbërritur tashmë. Pjesa tjetër duhet të mbërrijë deri në mesin e verës, por ne do të vazhdojmë me gjithçka që është pjesë e modernizimit tonë”, tha ministri. Ai shtoi se falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara, disa nga automjetet që ishin jashtë përdorimit në të kaluarën janë rikthyer në funksion sot dhe theksoi se shumë projekte të tjera me Shtetet e Bashkuara janë në proces, të cilat përfshijnë armë shtesë, pajisje shtesë, dronë, pajisje për njësitë speciale në mënyrë që të kemi një Ushtri moderne dhe të pajisur.
Misajllovski shfrytëzoi këtë rast për të shprehur mirënjohjen e tij për kryeministrin dhe ministrat në Qeveri, për deputetët, për u.d shefit të Misionit të Ambasadës Amerikane dhe punonjësit e Ambasadës Amerikane, si dhe për punonjësit e ministrisë dhe Ushtrisë që punuan në këtë projekt dhe mundësuan intensifikimin e bashkëpunimit mbrojtës me partnerin tonë strategjik.
Nicole Varnes, u.d shefe e Misionit të Ambasadës Amerikane, nënvizoi se me mbërritjen e automjeteve të blinduara të lehta Stryker, si dhe me dorëzimin e plotë në periudhën e ardhshme, vendi po bën një hap të vërtetë dhe të dukshëm përpara në procesin e modernizimit të forcave të armatosura dhe forcimin e vendit të saj në Aleancë. Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i besuar i vendit tonë në rrugën e modernizimit dhe kontributit për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.
Prokurimi i automjeteve të blinduara Stryker është pjesë e procesit të modernizimit dhe përmirësimit të kapaciteteve të Ushtrisë dhe po zbatohet përmes një marrëveshjeje qeveri-me-qeveri me Shtetet e Bashkuara. Kapacitetet dhe aftësitë e këtyre automjeteve u prezantuan në promovim.
Kujtojmë se nuk ka datë, e as nuk jepen arsye për vonesat e dorëzimit të sistemeve raketore të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër Mistral 3 nga Franca. Sipas Ministrisë, për pajisjet që pritet të arrijnë, prodhuesi ka planifikuar testin fabrik, pas të cilit do të ndodhë dorëzimi i sistemit.